Begaj kujton lidhjet e shqiptarëve me RAI-n gjatë izolimit komunist: “RAI Kalabria”, avokat i minoriteteve etno-gjuhësore!

21/10/2023 15:47

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj gjatë qëndrimit në provincën e Kozencës në Kalabri, zhvilloi një vizitë dhe në “RAI Kalabria”, një institucion mediatik që mbron të drejtat e pakicave etno-gjuhësore.

Në ceremoni ishin të pranishëm, drejtori i “RAI Kalabria” dhe prefekti i  Kozencës.

Gjatë fjalës së tij Presidenti Begaj, përmendi lidhjet e hershme të shqiptarëve me RAI-n gjatë izolimit komunist. Ai shprehu mirënjohje për angazhimin dhe kontributin e “RAI Kalabria” në promovimin e gjuhës, kulturës dhe traditave arbëreshe.

“Kënaqësia është edhe më e madhe pasi kjo vizitë korrenspondon dhe me miratimin e rezolutës nga Komisioni i Mbikqyrjes së Shërbimit Publik të Radiotelevizionit Italian, me anë të së cilës mbështetet transmetimi nga RAI Calabria, i programeve në gjuhën arbëreshe për 2023-2028.

Jam besimplotë, se transmetimi i rregullt në gjuhën arbëreshe, do të jetë një kontribut i vyer për ruajtjen e kësaj gjuhe shumëshekullore, që për shkak të zhvillimeve globale rrezikon të humbasë. Transmetimi i programeve të tilla nga RAI Calabria, në kuadër të ruajtjes nga Italia të gjuhëve të minorancave, do të ndihmojnë që kjo gjuhë të ruhet e trashëgohet më tej. Duke e krahasuar arbërishten me shqipen e sotme, Çabej shprehej, se një shqiptar i Shqipërisë, duke dëgjuar një arbëresh të San Marzanos, do të kishte të njëjtën përshtypje që një italiani të sotëm i lë dëgjimi i gjuhës italiane të kohës së Dantes”- u shpreh Begaj.

Presidenti vlerësoi kontributin që RAI ka dhënë në dekadat e fundit, me dokumentarë dhe shërbimet e shumta gazetareske mbi trashëgiminë gjuhësore dhe promovimin kulturor të botës arbëreshe kalabreze dhe rrënjëve të saj të lidhjes me Shqipërinë.

Një kontribut shumë i rëndësishëm – deklaroi Presidenti Begaj – është edhe mbështetja e kandidaturës së përfshirjes në listën e trashëgimisë verbale dhe jo-materiale të UNESCO-s së trashëgimisë arbëreshe të quajtur “Moti i Madh”.

Dhe për të mundësuar që kjo iniciativë të bëhet pjesë e trashëgimisë botërore, kreu i Lartë i Shtetit garantoi se ka një bashkëpunim shumë të mirëkordinuar mes autoriteteve italiane dhe shqiptare.

Begaj apeloi për nevojën e lejimit të mësimit të gjuhës arbëreshe në shkollat ​​e komuniteteve krahas lëndës italiane, pasi kjo parashikohet në ligjin italian.

“Natyrisht kemi ende shumë për të bërë. Për shembull, kur disa studiues shqiptarë filluan të interesoheshin për kulturën arbëreshe, për fat të keq gjetën shumë pak burime nga të niseshin. Në Itali të vetmet ishin ato të institutit LUCE, ndonëse për fat RAI prodhoi disa dokumente, por materialet janë ende shumë të pakta. Sot në kohën e digjitalizimit, i kemi të gjitha mjetet për t’i shkurtuar distancat gjeografike dhe strukturore. Lajmi i mirë është që OKB-ja e ka futur gjuhën arbëreshe në listën e 3000 gjuhëve nga 7000 më të rrallat në botë që janë në prag zhdukjeje. Kjo na inkurajon të bëjmë ç’është e mundur për të ruajtur gjuhën arbëreshe”.

Presidenti Begaj nderoi stacionin televiziv “RAI Kalabria” me dekoratën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”.

“Në vlerësim të kontibutit të dhënë për mbrojtjen dhe vlerësimin e gjuhës arbëreshe, të historisë, vlerave dhe traditave arbëreshe të Kalabrisë. Me mirënjohje ndaj përpjekjeve të vazhdueshme për promovimin e turizmit social-kulturor në Arbërinë e Kalabrisë”- është ky motivacioni i dekorimit të “Rai Kalabria”- tha Begaj.

FOTO GALERI
7/7

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA