Fillimisht u raportua nga policia si vdekje natyrale por më pas rezultoi një vrasje e rëndë.
Një ditë me pas, uniformat blu zbuluan se Musa Bajraktari, u vra me sëpatë nga bashkëfshatari i tij Xhemal Zeqiri.
Ngjarja e rëndë ndodhi mesditën e së enjtes, në fshatin Boks, në Shkodër. Viktima,69 vjeç, u gjet në një kanal në anë të rrugës se fshatit dhe ishin banoret të cilët njoftuan policinë. Pas verifikimeve paraprake, blutë e Shkodrës dhe grupi i ekspertizës, e konsideruan si vdekje natyrale ngjarjen.
Sipas tyre, Musa Bajraktari teksa ka qenë duke drejtuar biçikletën për shkak të komplikacioneve shëndetësore, është rrëzuar, ka rënë në kanal dhe ka ndërruar jetë. Nga kqyrja për herë të dytë e kufomës, nga ekspertet mjeko-ligjor, janë venë re çarje në pjesën e kokës të shkaktuara nga një mjet prerës.
Policia ka rinisur serish hetimet dhe ka zbuluar se 69-vjeçari është qëlluar me sopatë nga fqinji i tij Xhemal Zeqiri. Banorët e fshatit, thonë se viktima ka qenë një person i qetë dhe nuk ka patur probleme me askënd.
“Për ne ka qenë një burrë i nderuar, burrë i mirë. Në zone, në lagje, kudo, asnjëherë nuk ka patur probleme. As me ne, as me lagjen, as me askënd”, shprehet një banor.
“Fenomen ! As fëmijë nuk jemi rrahur. Ka qenë shumë i mirë”, thotë një tjetër.
Dyshimet e policisë së Shkodrës janë se ngjarja mund të ketë ndodhur si shkak i një debati të çastit mes dy personave. Më pas autori, ka marrë sopatën dhe teksa viktima ka qenë në lëvizje me biçiklete e ka qëlluar pas koke.
Top Channel