Në një raport të Pentagonit për fuqinë ushtarake të Kinës, është thënë se Pekini pritet t’i tejkalojë parashikimet kur është fjala për ndërtim të arsenalit bërthamor.
Aty përmendet edhe se “me shumë gjasë” Kina është duke marrë mësime nga lufta e Rusisë në Ukrainë, për të kuptuar se si do të mund të dukej një konflikt eventual me Tajvanin.
Në raportin e publikuar të enjten paralajmërohet se Kina mund të jetë duke e avancuar një sistem reaktor interkontinental, përmes së cilit, Pekini do të mund “të kërcënonte me sulme konvencionale kundër shënjestrave në Shtetet e Bashkuara, Havai dhe Alaskë”.
Raporti për Kinën është publikuar një muaj para një takimi që pritet të zhvillohet mes liderit kinez, Xi Jinping dhe presidentit amerikan Joe Biden, në margjina të samitit për bashkëpunim ekonomik Azi-Paqësor në San Francisko.
Raporti vjetor, që është kërkuar prej Kongresit amerikan, është një mënyrë se si Pentagoni i mat kapacitetet ushtarake në rritje të Kinës, të cilat Qeveria amerikane i sheh si kërcënimin kyç në rajon.
Mirëpo, pas sulmeve të Hamasit më 7 tetor kundër Izraelit, Shtetet e Bashkuara janë detyruar që sërish të fokusohen në Lindje të Mesme, në vend që t’i rrisin angazhimet për ta luftuar rritjen e Kinës në Paqësor.
SHBA-ja është duke dërguar armë në Izrael, derisa e vazhdon mbështetjen dhe i dërgon municione Ukrainës, që po mbrohet prej pushtimit rus.
Në raportin e vitit të kaluar është thënë se Pekini është duke e modernizuar shpejt forcën bërthamore dhe mund ta katërfishojë numrin e kokave bërthamore në 1.500 deri më 2035.
Aktualisht, Shtetet e Bashkuara i kanë 3.750 koka bërthamore aktive. Në raportin e këtij viti është përmendur se avancimi mund të jetë më i shpejtë, pasi Kina do të mund t’i posedojë 1.000 koka bërthamore deri më 2030./REL
Top Channel