Senatorët amerikanë: Izraeli nuk shkaktoi shpërthimin në spitalin e Gazës

19/10/2023 11:27

Senatorët amerikanë që kanë marrë pjesë në një informim të klasifikuar nga zyrtarët e lartë të mbrojtjes dhe zyrtarë të tjerë të administratës amerikane, janë informuar se Izraeli nuk ka qenë përgjegjës për shpërthimin në një spital në Qytetin e Gazës.

Shpërthimi ndodhi më 17 tetor dhe besohet se ka lënë të vdekur qindra persona. Në spitalin Al-Ahli, që u godit nga shpërthimi i fuqishëm, ishin të strehuar palestinezë dhe po trajtoheshin palestinezë të plagosur.

Izraeli për këtë sulm ka fajësuar grupin palestinez, Xhihadi Islamik, por ai ka mohuar përgjegjësinë.

“Vlerësimi i komunitetit të inteligjencës është se Izraeli nuk është fajtor për shpërthimin në spitalin në Gazë”, tha senatori Chuck Schumer, pasi doli nga ky takim. “Ata besojnë se ishte një raketë e lëshuar nga terroristët në Gazë”.

Senatori demokrat, Chris Murphy, tha se inteligjenca “është e vendosur” se ky nuk ishte një operacion izraelit.

Më vonë, përmes një deklarate të përbashkët, kryetari i Komitetit të Senatit për Inteligjencë, Mark Warner, senatori Marc Rubio, thanë se pasi kanë shqyrtuar vlerësimin e inteligjencës janë “të bindur se shpërthimi ishte rezultat i një lëshimi të dështuar të një rakete nga militantët terroristë dhe nuk ishte rezultat i një sulmi ajror izraelit”.

Militantët e Hamasit nisën sulmet ndaj Izraelit më 7 tetor, që çoi në një përgjigje të ashpër nga autoritetet izraelite, që kanë bombarduar pareshtur Rripin e Gazës.

Më 18 tetor, Izraeli, pas kërkesës së SHBA-së, është pajtuar që të lejojë dërgimin e ndihmës humanitare nga një pikëkalim që lidh Gazën me Egjiptin, për palestinezët në këtë territor./ rel

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA