Shefi i AirAsia, Tony Fernandes është “kryqëzuar” në rrjetet sociale pasi shpërndau një foto duke kryer një masazh topless gjatë një takimi pune.
Bashkëthemeluesi i linjës ajrore malajziane postoi imazhin këtë javë në LinkedIn, ku vlerësonte pozitivisht kulturën e kompanisë së tij, por në vend të lavdërimeve është përballur me një lum kritikash, ndërsa një pjesë e mirë e ndjekësve të tij e shihnin rastin si një mjedis të papërshtatshëm pune.
Në postimin e tij, manjati i biznesit tha se kishte pasur “një javë stresuese”, kështu që një koleg i sugjeroi të bënte një masazh. Në foto, Fernandes shihej ulur në dhomën e konferencave, teksa një punëtor i maskuar i fërkonte shpatullën.
“E dua kulturën e Indonezisë dhe AirAsia që mund të bëj një masazh dhe një takim menaxhimi në të njëjtën kohë,” shkroi Fernandes.
Postimi u fshi disa ditë më vonë pas një vale kritikash. Shumë përdorues të LinkedIn e konsideruan sjelljen e CEO-s së AirAsia si joprofesionale. Një kritik vuri në dukje se kjo mund t’a bëjë mjedisin e punës të parehatshëm dhe punonjësit e tjerë të ndihen jo mirë në atë mjedis pune.
“Unë nuk mendoj se gratë në kompaninë tuaj do të ndiheshin rehat apo të sigurta në këtë kontekst, dhe duke qenë se ju jeni shefi, ato me siguri nuk do t’ju sfidojnë apo thonë asgjë,” komentoi përdoruesi. “Ju jeni qartë një udhëheqës i zgjuar që kujdeset për kulturën, por kjo nuk është mënyra për të krijuar një ambient suportues dhe të sigurt për punonjësit.”
I kontaktuar nga CNN, shefi ekzekutiv i AirAsia nuk pranoi të komentonte rastin. Më herët, Fernandes sqaroi për Bloomberg se në momentin që është kapur foto, ai ka qenë në një takim të nivelit ekzekutiv pas një fluturimi 18-orësh dhe kishte dhimbje, kështu që pranoi masazhin e sygjeruar.
“Një person asnjëherë nuk mund ta shpjegoi siç duhet atë çfarë ka dashur të thotë përmes një postimi, kështu që unë e fshiva atë,” citohet të ketë thënë ai sa i përket postit të kryer në LinkedIn. “Nuk kisha ndërmend të ofendoja askënd.”
Fernandes është më i njohur për rinisjen e AirAsia, transportuesin e parë me kosto të ulët në rajon. Ai tani shërben si CEO i kompanisë mëmë të linjës ajrore, Capital A. Sipërmarrësi është quajtur nga disa si “Richard Branson i Azisë”, pasi filloi karrierën e tij me themeluesin e Virgin Group në Mbretërinë e Bashkuar, ku u bënë miq.
Fernandes më pas vazhdoi të mbikëqyrte biznesin e Warner Music Group në Azinë Juglindore, përpara se të blinte AirAsia, një kompani e falimentuar malajziane, për vetëm 26 cent në 2001. Transportuesi u rilançua dhe tani mbetet një nga ofruesit kryesorë të udhëtimeve me kosto të ulët në rajon.
AirAsia Group u riemërua në Capital A vitin e kaluar, në përpjekje për të treguar se si AirAsia po bëhej “më shumë se thjesht një linjë ajrore”, sipas një deklarate të kompanisë në atë kohë.
Jashtë aviacionit, grupi drejton edhe një “super aplikacion” ose platformë që synon të shërbejë si një dyqan pikstop për përdoruesit, për të bërë gjithçka, nga porositja e ushqimeve delivery deri te rezervimi i fluturimeve.
Fernandes ka qenë prej kohësh i zëshëm për dëshirën e tij për të nxitur një kulturë të hapur pune, duke i thënë CNN në një intervistë të vitit 2007 se: “Unë dua që njerëzit të jenë vetvetja”.
“Unë mendoj se një hierarki mund të jetë shumë e dëmshme për një organizatë. Dua t’i tregoj botës se Malajzia mund të ketë një kompani të madhe dhe dua të më kujtojnë për krijimin e një vendi të mrekullueshëm për të punuar”, tha ai në atë kohë.
Top Channel