Përse Egjipti dhe vende të tjera arabe nuk janë të gatshëm të pranojnë refugjatë nga Rripi i Gazës?

19/10/2023 18:48

Ndërsa palestinezët e dëshpëruar që largohen nga Rripi i Gazës, përpiqen të gjejnë strehim, janë ngritur pikëpyetje se pse Egjipti dhe Jordania fqinje nuk po i pranojnë ata.

Të dy vendet, në kufi me Gazën dhe Bregun e pushtuar Perëndimor, kanë dhënë një përgjigje refuzuese të vendosur. Jordania ka një popullsi të madhe palestineze.

Në komentet e bëra të mërkurën, ndër më të ashprat deri tani, Presidenti egjiptian Abdel Fattah el-Sissi tha se lufta që po kryente altualisht Izraeli, nuk kishte për qëllim vetëm të luftonte Hamasin, që sundon në Rripin e Gazës, “por ishte gjithashtu një përpjekje për të nxitur popullatën civilë që të emigrojë në Egjipt”. Ai paralajmëroi se një gjë e tillë mund të prishë paqen në rajon.

Mbreti i Jordanisë Abdullahu i II dha një mesazh të ngjashëm një ditë më parë, duke shtuar se nuk do të lejohet asnjë refugjat në Jordani dhe në Egjipt.

Refuzimi i tyre bazohet tek frika se Izraeli po nxit një dëbim të përhershëm të palestinezëve drejt vendeve të tyre si dhe të bëjë zhbëjë kërkesat palestineze për shtetësi. Presidenti egjiptian El-Sissi tha gjithashtu se një eksod masiv do të rrezikonte vendosjen e militantëve në Gadishullin egjiptian të Sinait, nga ku ata mund të nisnin sulme ndaj Izraelit, duke rrezikuar traktatin 40-vjeçar të paqes mes dy vendeve.

Një histori zhvendosjesh
Zhvendosja nga një vend në tjetrin ka qenë një temë kryesore e historisë palestineze. Në luftën e vitit 1948, periudhë kur u krijua Izraeli, rreth 700 mijë palestinezë u dëbuan, ose u larguan nga territori që tani njihet si shteti i Izraelit. Palestinezët i referohen ngjarjes si ‘Nakba’, që në arabisht do të thotë “katastrofë”.

Në luftën e Lindjes së Mesme të vitit 1967, kur Izraeli pushtoi Bregun Perëndimor dhe Rripin e Gazës, 300 mijë palestinezë të tjerë u larguan, kryesisht për në Jordani.

Refugjatët dhe pasardhësit e tyre llogariten të jenë afro 6 milionë, shumica jetojnë në kampe dhe komunitete në Bregun Perëndimor, në Gazë, Liban, Siri dhe Jordani. Diaspora është përhapur edhe më tej dhe shumë refugjatë kanë ndërtuar jetën e tyre në vendet arabe të Gjirit, apo në Perëndim.

Pas përfundimit të luftës së vitit 1948, Izraeli refuzoi të lejonte refugjatët që të ktheheshin në shtëpitë e tyre. Që aso kohe, Izraeli ka hedhur poshtë kërkesat palestineze për kthimin e refugjatëve, si pjesë e një marrëveshjeje paqeje, duke thënë se kjo do të kërcënonte shumicën hebreje të vendit.

Egjipti druhet se historia do të përsëritet dhe një popullsi e madhe refugjatësh palestinezë nga Rripi i Gazës, do të përfundojë duke qëndruar përgjithmonë në këtë vend.

Asnjë garanci për kthim
Kjo gjë bazohet pjesërisht tek mungesa e një skenari të qartë se si do të përfundojë kjo luftë. Izraeli thotë se synon të shkatërrojë Hamasin, pas sulmit të përgjakshëm nga ana e grupit të militantëve më 7 tetor në jug të vendit. Por Izraeli nuk ka dhënë asnjë sinjal se çfarë mund të ndodhë më pas dhe kush do të qeverisë Gazën. Kjo ka ngritur shqetësimin për një ripushtim të territorit për një periudhë, duke nxitur konflikte të mëtejshme.

Ushtria izraelite tha se palestinezët që zbatuan urdhrin për t’u larguar nga pjesa veriore e Gazës në gjysmën jugore të rripit, do të lejohen të kthehen në shtëpitë e tyre pas përfundimit të luftës.

Egjipti vijon të jetë i shqetësuar
Presidenti egjiptian El-Sissi tha se luftimet mund të zgjasin me vite, nëse Izraeli do t’i mbahet qëndrimit se nuk i ka goditur mjaftueshëm militantët. Ai propozoi që Izraeli t’i strehojë palestinezët në shkretëtirën e tij, në Negev, një zonë fqinje me Rripin e Gazës, deri në përfundim të operacioneve të tij ushtarake.

Egjipti ka nxitur Izraelin të lejojë futjen e ndihmës humanitare në Gazë dhe autoritetet izraelite njoftuan të mërkurën se do ta bënin një gjë të tillë, por pa thënë se kur. Sipas Kombeve të Bashkuara, Egjipti, i cili po përballet me një krizë ekonomike, strehon rreth 9 milionë refugjatë dhe migrantë, përfshirë rreth 300 mijë sudanezë, të cilët mbërritën këtë vit, pasi u larguan nga lufta në vendin e tyre.

Por vendet arabe dhe shumë palestinezë dyshojnë gjithashtu se Izraeli mund ta përdorë këtë mundësi për të bërë ndryshime të përhershme demografike, me qëllimin për të dëmtuar kërkesat palestineze për një shtet në Gazë, Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin lindor, i cili gjithashtu u pushtua nga Izraeli në 1967.

Presidenti egjiptian El-Sissi përsëriti të mërkurën paralajmërimin se një eksod nga Rripi i Gazës kishte për qëllim “të eliminonte kauzën palestineze, kauzën më të rëndësishme të rajonit tonë”. Ai tha se nëse një shtet palestinez i çmilitarizuar do të ishte krijuar shumë kohë më parë me negociata, aktualisht nuk do të kishte luftë.

Frika e vendeve arabe është nxitur vetëm nga forcimi i partive të ekstremit të djathtë që bashkëqeverisin me Kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, parti që janë pro largimit të palestinezëve. Që nga sulmi i Hamasit, retorika e tyre është bërë më pak e përmbajtur dhe disa politikanë të krahut të djathtë e komentues mediatikë, kanë bërë thirrje që ushtria të shkatërrojë Gazën dhe të dëbojë banorët e saj. Një ligjvënës tha se Izraeli duhet të kryejë një “Nakba të re” në Gazë.

Shqetësime lidhur me Hamasin
Në të njëjtën kohë, Egjipti thotë se një eksod masiv nga Rripi i Gazës do të sillte Hamasin, ose militantë të tjerë palestinezë, në territorin e vendit të tij. Një gjë e tillë do të krijonte destabilitet në Sinai, ku ushtria egjiptiane ka luftuar për vite me radhë kundër militantëve islamikë, duke akuzuar gjithashtu Hamasin, se po i mbështet ata.

Egjipti ka mbështetur bllokadën e Izraelit ndaj Gazës, që kur Hamasi mori kontrollin e territorit në vitin 2007, duke forcuar kontrollet në kufi. Po kështu Egjipti shkatërroi gjithashtu rrjetin e tuneleve, që mundësonin kalimin nga ana tjetër e kufirit, të cilat Hamasi, apo palestinezë të tjerë, i kishin përdorur për të future mallra kontrabandë në Gazë.

Presidenti egjiptian El-Sissi paralajmëroi për një skenar edhe më destabilizues: shkatërrimin e Egjiptit dhe marrëveshjes së paqes të Izraelit të vitit 1979. Ai tha se me praninë e militantëve palestinezë, Sinai “do të bëhej një bazë për sulmet ndaj Izraelit. Izraeli do të gëzonte të drejtën e tij për t’u mbrojtur… dhe do të godiste territorin egjiptian”, sikurse tha ai./VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA