Parlamenti Europian fton Malin e Zi të tejkalojë tensionet politike dhe të përparojë drejt BE-së

18/10/2023 14:02

Parlamenti Evropian ftoi Malin e Zi që të tejkalojë ndasitë politike dhe të përparojë në procesin e integrimeve evropiane, duke theksuar se kriza aktuale politike ia ka humbur një vit të tërë këtij shteti kandidat për Bashkimin Evropian.

Kjo është përfshirë në rezolutën për Malin e Zi që u votua më 18 tetor në PE. Ajo u hartua nga raportuesi për Malin e Zi në PE, Tonino Piculla, socialdemokrat nga Kroacia.

Gjatë debatit për rezolutën, shumë eurodeputetë shprehën shqetësime për përpjekjet për ndikim nga Rusia në Mal të Zi si dhe përshëndetën vazhdimin e përshtatjes së plotë të Podgoricës me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së. Deputetët në PE kërkuan që cilado qeveri që do të formohet në Mal të Zi të mbajë kursin drejt BE-së.

Mali i Zi ka mbështetur të gjitha sanksionet e BE-së ndaj Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës dhe PE-ja kërkoi që kjo të vazhdojë, pavarësisht se në Mal të Zi ka forca politike që kanë qëndrime pro-ruse.

Po ashtu, në rezolutë është përmendur edhe shqetësimi për ndërhyrje nga Kina dhe Serbia në çështjet e brendshme të Malit të Zi.

Deputetët e Parlamentit Evropian përmes këtij raporti kanë kërkuar që Mali i Zi të përshpejtojë procesin e reformave, sidomos ato që janë të nevojshme për procesin e integrimeve në BE, siç janë reformat në drejtësi dhe lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Mali i Zi vazhdon të jetë vendi më i avancuar kandidat në procesin e anëtarësimit në BE në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Podgorica ka hapur të gjithë kapitujt negociues në këtë proces dhe deri më tani i ka mbyllur tre kapituj. Por, për vite të tëra nuk ka mbyllur kapituj negociues.

Procesi ka ngecur për shkak të krizave të vazhdueshme politike në shtet.

Mali i Zi ka mbajtur të parakohshme parlamentare më 11 qershor. Lëvizja Evropa Tani fitoi më së shumti vota, përkatësisht 26 për qind.

Qeveria e re pritet të formohet nga Millojko Spajiç, do të jetë e treta që nga largimi i Partisë Demokratike të Socialistëve të Millo Gjukanoviåit nga pushteti, në gusht të vitit 2020.

Qeveria e parë e Zdravko Krivokapiqit, e formuar nën ndikimin e Kishës Ortodokse Serbe, zgjati 14 muaj.

Qeveria e dytë, në krye me Dritan Abazoviçin, u përball pas tre muajsh me votë mosbesimi dhe deri më sot ajo funksionon me mandat teknik./ rel

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA