Ishulli i Paqësorit, Tuvalu është i destinuar të zhduket në fund të shekullit për shkak të rritjes së ujërave të deteve. 

Por ai nuk dorëzohet. Ai po krijon një kopje digjitale të vetes dhe po ndryshon Kushtetutën për të ruajtur sovranitetin edhe nën ujë.

Tuvalu po fundoset por sërish nuk dorëzohet. Ishulli në veri-lindje të Australisë ndodhet në lartësinë maksimale prej 5 metrash mbi Paqësor, pavarësisht se e di se ai së shpejti “do ta gëlltisë”.

Deri në vitin 2050, shumica e 11,000 banorëve do të detyrohen të emigrojnë dhe deri në fund të shekullit, 95% e 26 kilometrave katrorë të tij do të zhyten nga ujërat që rriten me 4 milimetra në vit.

Kombi ishullor i Tuvalusë, u zhgënjye dhe u demoralizua shumë pas rezultatit të samitit të klimës së OKB-së në Glasgow, ku shfaqej qartë frika se qeveritë e botës do të dështojnë të frenojnë ngrohjen globale dhe që kërcënimi i rritjes së nivelit të detit, me të cilin përballen vendet e ulëta ishte real.

Ministri i Jashtëm i Tuvalusë, Simon Kofe tha asokohe se, pakti i samitit duhet të kishte bërë thirrje për heqjen graduale, në vend të uljes graduale, të përdorimit të qymyrit, një ndryshim i vonë por i nxitur nga India dhe Kina e varur nga qymyri.

Ndërkohë,  Zelandës së Re i kërkohet të krijojë shtigje emigrimi për njerëzit nga vendet e ulëta të Paqësorit, si Tuvalu dhe Kiribati, të cilët po largohen nga vendet e tyre për shkak të efekteve në rritje të ndryshimeve klimatike.

Ndërsa një numër ishujsh në rajonin e Paqësorit përballen me efektet e vazhdueshme të krizës klimatike, banorët po përpiqen të gjejnë një mënyrë për të krijuar jetë të re në vendet fqinje, si Zelanda e Re, sepse nuk ka një politikë formale migrimi për arsye të lidhura me klimën.

Si po krijohet kombi i parë digjital

Me kushtetutën e re, Tuvalu po përgatitet për më të keqen. Kushtetuta e re e ishullit njeh Kombin Digjital të Tuvalusë.  Ky projekt është një ndër fituesit e çmimit Effie Awards që zhvillohet në Australi. Video e “marketimit” të kombit të parë digjital në botë paraqet Ministrin e Drejtësisë, Komunikimit dhe Punëve të Jashtme të vendit, Simon Kofe duke mbajtur fjalimin e tij të vitit 2021 në Konferencën e OKB-së për Ndryshimet Klimatike i zhytur në ujë.

Videoja komunikon se edhe pse e ardhmja fizike e tokës së kombit Tuvalu është e pasigurt, vendi mund të jetojë në përjetësi përmes teknologjisë, një propozim i zymtë, por potencialisht i nevojshëm që e shtyu audiencën të konsideronte humbjen kulturore, historike, sociale dhe ekonomike që do të rezultonte pa tokën nën këmbë.

Projekti për digjitalizimin e trashëgimisë materiale dhe kulturore të Tuvalusë ka nisur tashmë. Sfida e vetme e këtij vendi mbetet lëvizja e popullsisë së saj dhe se ku do vendosen ata.

FOTO GALERI
1/16
Parlamenti i Tuvalusë

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA