Egjipti paralajmëron “luftë” me Izraelin”: Jo palestinezët në Sinai!

18/10/2023 13:10

Presidenti i Egjiptit, Abdel Fattah el-Sissi i kundërshtoi kategorikisht ato që i cilësoi si përpjekje për të detyruar palestinezët e Gazës të zhvendosen në Gadishullin Sinai.

Përpjekje të tilla, paralajmëroi ai, do të vënë në rrezik paqen e Egjiptit me  Izraelin. Nga konferenca e përbashkët për shtyp në Kajro me kancelarin gjerman, Olaf Scholz, el-Sissi deklaroi se qeveria e tij e sheh rrethimin izraelit të Gazës, që ka ndaluar furnizimet me ujë, ushqime dhe karburante, por edhe po parandalon dërgesat humanitare në Gazë – si skemë për të larguar palestinezët drejt Egjiptit.

“Ne kundërshtojmë likuidimin e kauzës palestineze dhe dëbimin e palestinezëve në Sinai. Gadishulli do të shndërrohej në një territor nga ku do të ndërmerreshin sulme terroriste kundër Izraelit, për të cilat në fund do të fajësohej Egjipti”, tha presidenti i Egjiptit Abdel Fattah el-Sissi.

Rripi i Gazës, ku jetojnë 2.3 milionë palestinezë, kufizohet në jug me Egjiptin dhe Gaza lidhet me këtë shtet përmes pikës kufitare të Rafahsë. As ndihmat humanitare dhe as njerëzit nuk janë lejuar të kalojnë atje.

Një ditë më parë, ministri i Jashtëm egjiptian, Sameh Shoukry, pohoi për CNN se kjo pikë kufitare nuk do të hapet për shkak të dëmit të shkaktuar nga dhjetëra sulme ajrore izraelite në zonën afër. Kombet e Bashkuara vazhdojnë të këmbëngulin që ndihmat humanitare të lejohen të kalojnë përmes Rafah dhe të arrijnë në Rripin e Gazës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA