Në fshatin Livadhja në bashkinë e Finiqit është diskutuar gjatë një konference lokale prespektiva e zhvillimit të minoritetit grek si pjesë e përpjekjeve të integrimit evropian të Shqipërisë.
Nisma që u ndërmor prej shoqërisë civile dhe u mbështet nga Ambasada e Greqisë solli kumtesa të ekspertëve të fushës së integrimit, ekonomisë, edukimit, sipërmarrjes, trashëgimisë e kulturës dhe menaxhimit të projekteve evropiane. Në konferencë u soll në vëmendje braktisja e shumë zonave dhe nevojat për të lehtësuar jetën e qytetarëve të moshuar përmes teknologjisë dhe strukturave të përkujdesjes shëndetësore.
“Nuk kemi shumë mundësi për të tërhequr të rinjtë. Edhe për tu zbavitur duhet të shkojnë në Sarandë sepse nga mungojnë qendrat kulturore, këndet sportive dhe jeta sociale. Problem tjetër ngelen qendrat shëndetësore në zonat e thella që ekzistojnë si godina por nuk ka personel dhe probleme me cilësinë e shërbimit”, tha Ilir Papa, përgjegjës i njësisë së integrimit evropian në bashkinë Finiq.
Gjithashtu në themel të diskutimeve qëndroi çështja e frenimit të largimeve dhe nxitjes së punës online të të rinjve përmes edukimit në distancë dhe programeve që nxisin inovacionin.
“Ne përballim gjithnjë problemet e emigracionit dhe njerëzve që jetojnë në zonat rurale, njerëz që kanë telashe me teknologjinë dhe të mësuarin por programet europiane mund t’i bëjnë njerëzit të qëndrojnë dhe të punojnë këtu. Ata mund të jetojnë këtu dhe mund të punojnë për zyra dhe programe kudo në botë”, tha Jenny Pangem dekane e shkollës së Edukimit.
Nikolaos Giannis ekspert i Komisionit Evropian solli një qasje tjetër në diskutim duke sugjeruar shmangien e politikës dhe nxitjen e politikës së butë përmes ekonomisë, kulturës, shkëmbimeve. Ai solli në vëmendje situatën aktuale të konfliktit të përgjakshëm mes Izraelit dhe Palestinës që duhet të përbëjnë gjithashtu momente reflektimi për rajonin tonë.
“Ne jemi në qendër të një situate madhore, të një krize rajonale që nisi në Ukrainë dhe po vijon tani me konfliktin mes Izraelit dhe Palestinës. Historia e integrimit evropian na mëson se duhet të gjejmë interesat dhe terrenin e përbashkët dhe ajo për momentin është ekonomia dhe përballja me ndryshimet klimatike që na prekin të gjithëve si dhe shoqëria civile që pavarësish kufijve duhet të ekzistojë dhe të bashkekzistojë. Politika i bën njerëzit të mendojnë negativisht”, tha Nikolaos Giannis, ekspert i Komisionit Evropian.
Bashkia e Finiqit që bashkon 58 fshatra kryesisht me popullsi minoritare ka të regjistruar rreth 40 mijë banorë por gati 80% e tyre janë emigrantë. Për pasojë zona të tëra të braktisura kanë pamundësi për zhvillimin e ekonomisë dhe gjithashtu nevoja të veçanta që lidhen me popullsinë e moshuar. Bashkia e Finiqit ka më shumë se 1800 familje me 1 ose 2 anëtarë që janë të moshuar të vetmuar.
Top Channel