E enjtja e 12 tetorit do të shënohet në kalendarin e futbollit shqiptar.

Kombëtarja shqiptare sheh në horizont Evropianin e Gjermanisë që do të zhvillohet vitin e ardhshëm teksa mundi Çekinë me rezultatin 3-0. Ishte një ditë që nisi me festë në rrugët e Tiranës dhe u mbyll me festë në Arena Kombetare nën notat e këngës “Mora fjalë” të Shkurte Fejzës. Atmosfera në impiantin më modern të vendit ishte e jashtëzakonshme me tifozët që kishin mbushur plot e përplot shkallët e tij teksa shpalosën edhe një koreografi të mrekullueshme.

Sfida nisi me Cekinë në sulm që tentoi që në minutën e parë me Kuchta, por Berisha në dy kohë largoi rrezikun. Pas disa minutash qetësie, Arena Kombëtare shpërtheu në festë teksa Jasir Asani, që na ka mësuar me gola spektakolarë, shënoi sërish një të tillë me një gjuajtje me të majtën nga distanca në minutën e 9 i dha avantazhin Kombëtares shqiptare. Çekia nga ana e saj tentoi me Cerny, por edhe ky u ndal nga Berisha. Në minutën e 18, Asllani gjeti saktë Cikalleshin, por ky i fundit nuk mundi të shfrytëzojë shansin që iu dha. Kombëtarja mori frenat e lojës në dorë duke ia bërë shumë të vështirë lojën skuadrës çeke, e cila e kishte të pamundur të rrezikonte në zonën e kombëtares.

Në minutën e 38, ankthi mbërtheu për një moment të 20 mijë të pranishmit në stadium kur Çekia shënoi me Cytil por goli u anulua për prekje të topit me dorë të këtij të fundit dhe festa ishte e gjitha kuqezi. Cytil u ndëshkua me karton të verdhë që ishte i dyti për të duke marrë kështu kartonin e kuq e duke e lënë çekinë me 10 lojtarë. Kombëtarja kishte një mundësi të shënonte edhe golin e dytë me Bajramin, por topi i dhënë nga Ramadani për të ishte më i fortë sec duhej kështu që Bajrami nuk e shfyrtëzoi dot. Gjithsesi pjesa e parë u mbyll me avantazhin e kuqezinjve 1-0.

Në fillimin e pjesës së dytë, Arena Kombetare shpërtheu sërish teksa kuqezinjtë shënuan sërish në portën çeke me Taulant Seferi pas një kundërsulmi vrasës të nisur nga Nedim Bajrami. Në minutën e 72 Kombëtarja shqiptare shënoi sërish me Taulant Seferin, por meritën e ka Daku i cili diti të mbajë topin në zotërim në zonë edhe pse rrëshkiti për të pasuar te Seferi që shumë pranë portës nuk gaboi duke e cuar rezultatin në 3-0. Festa kuqezi nuk kishte të ndalur, teksa në minutën e 81, kombëtarja shënoi edhe golin e katërt me Mujan pas një kundërsulmi të nisur nga Elseid Hysaj. Por këtë radhë sistemi VAR e anuloi këtë gol për pozicion jashtë loje të Mujës. Në minutat e mbetura të ndeshjes, të besuarit e Sylvinhos tentuan të gjenin një gol tjetër, por pa sukses. E megjithaë kjo pak rëndësi ka, fërshëllima e fundit e arbitrit sanksionoi fitoren mëse të merituar të Kombëtares sonë me rezultatin 3-0 ndaj /cekisë që deri në këtë moment kishte pësuar vetëm 2 gola, me kuqezinjtë që janë të sigurt në krye të grupit E të kualifikueseve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA