Banorët e fshatit Mezhgoran në Tepelenë kanë dalë sërisht në rrugën nacionale sot për të penguar fillimin e punimeve për një ujësjellës lokal që pritet të furnizojë me ujë Mezhgoranin, Peshtanin dhe një resort turistik që po ngrihet në anën tjetër të Vjosës. 

Ata pretendojnë se ky projekt që nuk ka marrë miratimin e banorëve do të cënojë burimet ujore të fshatit në funksion të zgjidhjes së nevojave të një biznesi privat. Pas protestave të një jave më parë që nuk patën forcën ti ndalojnë punimet për këtë vepër ata tani kanë vendosur që ta ndjekin çështjen edhe në rrugë ligjore.

“Unë vij këtu me 400 dhi për të pirë ujë. Si do na marrin ujin? Janë 80-90 shtëpi këtu që kanë investuar të jetojnë në fshat. Nuk na kanë treguar të vërtetën për ujin”- tha një banor.

“Këtu nuk ka ujë, shteron dhe nuk del as për fshatin. Ne e kemi menaxhuar shumë mirë deri tani dhe kemi vite që e kundërshtojmë. Tani po e ndërtojnë duke na sjellë policinë”- u shpreh një tjetër.

“Ne e kundërshtojmë projektin se nuk e ka pyetur fshatin dhe po e çon ujin në një resort privat. Kemi hartuar një peticion dhe e kemi dorëzuar në bashki. Do ta ndjekim çështjen në gjykatë”– tha një tjetër.

Banorët kanë ndërtuar një rrjet primitiv tubacionesh për të furnizuar me ujë banesat por njëherazi e përdorin ujin e burimeve për ujitjen e tokës dhe plotësimin e nevojave për rreth 2500 krerë bagëti të imëta dhe rreth 700 gjedhë.

Projekti i miratuar që në korrik të vitit 2020 nuk ka mundur dot të nisë zbatimin për shkak të kundërshtive të këtij komuniteti. Ai parashikon marrjen prej burimit të Mezhgoranit të sasisë prej 1,94 l/sek për të furnizuar fshatin Mezhgoran, Peshtan dhe një resort turistik i konsideruar investim strategjik për zonën.

Në fazën e dëgjesës publike ky projekt sipas banorëve nuk ka marrë konsensusin dhe miratimin e fshatit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA