“Google po penalizon gjuhën shqipe”, padi në SHBA: Diskriminim

13/10/2023 12:13

Gjiganti teknologjik Google është paditur në Gjykatën e Lartë të Kalifornisë për mospërfshirjen e gjuhës shqipe në gjuhët e mbështetura nga motori i famshëm i kërkimit në internet.

Lajmin e përcjellin mediat në Prishtinë, sipas të cilave ky diskriminim ka pasur pasoja të mëdha në media, marketing, investime të huaja, zhvillim ekonomik dhe teknologjik në Shqipëri, Kosovë dhe kudo që flitet gjuha shqipe. Padia është ngritur nga Haki Dervishi, shtetas amerikan me banim në Palm Springs Kaliforni, i dekoruar rishtazi nga Presidenti Biden me Dekoratën dhe Mirënjohjen Jetësore për kontribut të vazhdueshëm për kombin Amerikan, dhe Dr. Neshad Asllani, mjek i njohur kosovar, themelues i “Qendrës Kosovare për të Drejtat e Njeriut” dhe anëtar bordi në organizatën “Dekada për të Drejtat e Njeriut” në New York.

Në njoftimin për shtyp nënvizohet se paditësit besojnë se diskriminimi i vazhdueshëm i gjuhës shqipe nga Google ka bërë që folësit e gjuhës shqipe të diskriminohen nga pjesa tjetër e Europës dhe botës në zhvillimin e biznesit, në marketing dhe gazetari, pasi janë të përjashtuar nga platformat Google Ads, Google Adsense dhe Google Admob.

Dervishi dhe Asllani kanë angazhuar edhe avokatë amerikanë për të paditur gjigantin Google në Gjykatën e Lartë të Kalifornisë për diskriminim të gjuhës shqipe. Përfshirja e saj si gjuhë zyrtare e mbështetur nga Google, do të sillte sipas tyre risi të mëtejshme të teknologjisë informative duke krijuar mundësi reale për zhvillim ekonomik, punësim, investime të huaja, marketing dhe informim cilësor.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA