“Armiqtë tanë sapo kanë filluar të paguajnë çmimin”, Netanyaho: Është vetëm fillimi

13/10/2023 22:39

Kryeministri Banjamin Netanyahu i ashpër deklaroi se bombardimet në Gaza janë vetëm fillimi përgjigjes së vendit të tij ndaj sulmeve të militantëve të Hamasit që lanë 1300 të vdekur.

“Ne po i godasim armiqtë tanë me një fuqi të paprecedentë. Theksoj, është vetëm fillimi. Armiqtë tanë sapo kanë filluar të paguajnë çmimin. Nuk mund të zbuloj se çfarë do të vijë më pas, por mund t’ju them se është vetëm fillimi”, tha ai.

Izraeli dhe Hesbollah kanë vijuar sulmet kundrejt njëri-tjetrit, ndërsa Hamasi ka hedhur raketa drejt Tel Avivit, aty ku ndodhet edhe presidentja e Komisionit Europian, Ursula Von der Leyen. Menjëherë pas alarmit ajo u strehua menjëherë në bodrumin e godinës ku po vijonte takimet, gjatë vizitës zyrtare në Izrael.

Pas disa orësh pritet të skadojë afati i dhënë nga ushtria izraelite, për evakuimin e 1.1 milionë banorëve të Gazës, megjithëse Hamasi e ka kundërshtuar këtë thirrje, duke i kërkuar banorëve të mos e zbatojnë. Ky vendim është kritikuar nga OBSH-ja dhe OKB-ja, nën pretendimin se do të ketë pasoja shkatërruese humanitare.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, në deklaratën e tij të fundit njoftoi se situata në Gaza ka arritur një nivel të ri të rrezikshëm dhe 150 personat e marrë peng nga militantët e Hamasit duhet të lirohen menjëherë.

“I gjithë territori përballet me krizë të elementëve jetikë. Të gjithë pengjet duhet të lirohen dhe ligji ndërkombëtar dhe për të drejtat e njeriut duhet të respektohen e mbështeten”, deklaroi Guterres.

Në Jeruzalem ka pasur përleshje të dhunshme mes forcave izraelite dhe protestuesve palestinezë, menjëherë pas lutjeve të së premtes. Deri më tani në Bregun Perëndimor, epiqendrën e përplasjeve, janë vrarë 11 persona.

Ushtria izraelite tashmë në ditën e dytë të mobilizuar është vendosur në afërsi të kufirin në Rripin e Gazës, njëkohësisht Forcat e Mbrojtjes kanë njoftuar se po vijojnë krehjen e zonës për të gjetur militant të Hamasit.

Bota islamike po zhvillon protesta masive në mbështetje të Palestinës, duke treguar solidaritet me të prekurit në Gaza, zonën ku kanë mbetur viktima 1500 palestinezë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA