13 ditë pas hapjes së garës për tre vende vakante në Prokurorinë e Posaçme, SPAK deri më tani nuk ka aplikuar asnjë prokuror.
Nuk dihen ende arsyet përse nuk është shprehur asnjë interes për të qenë pjesë e SPAK, ndërsa mendohet se prokurorët mund ta lenë për në fund aplikimin, pasi afati është deri në datën 16 tetor ora 24:00.
Aktualisht SPAK ka në detyrë 17 prokurorë të komanduar dhe një të emëruar. Vazhdimisht SPAK ka ngritur kërkesë për plotësimin e ekipit, ndërsa KLP në një farë mënyre e pranoi fajësinë kur tha arsyet.
“E hapëm me vonesë për shkak të hartës së re gjyqësore”, tha Bujar Sheshi, anëtar i KLP-së.
SPAK u konstitua në vitin 2019. Pritet që prokurorët të shpalosin strategjinë e tyre se si do ta luftojnë korrupsionin dhe krimin e organizuar.
Ndërkohë, kreyeprokurori Dumani një ditë më parë gjatë një takimi informal tha se SPAK-u shqiptar mund ta tejkalojë modelin rumun, qe hetoi dhjetëra ministra e zyrtarë. Por, për Dumanin e rëndësishme është provueshmëria.
Këshilli i Lartë i Prokurorisë bën thirrje që të kandidojnë të gjithë prokurorët që në momentin e kandidimit plotësojnë kushtet e mëposhtme:
1. Kanë ushtruar funksionin si prokuror për jo më pak se 10 vjet;
2. Nuk kanë masa disiplinore në fuqi;
3. Japin pëlqimin për kontrollin periodik të llogarive bankare dhe të telekomunikimeve
vetjake;
4. Sigurojnë pëlqimin e anëtarëve të afërt të familjes për kontrollin periodik të llogarive
bankare dhe të telekomunikimeve vetjake.
Top Channel