46 arrestime dhe rreth 22 milionë euro të sekuestrua.
Ky është bilanci i operacionit “Malok” të Guardia di Finanza që ka nisur mëngjesin e sotëm në disa zona. Aktualisht, mediat italiane bëjnë të ditur se 150 forca të policisë po vazhdojnë aksionin, duke kontrolluar nga toka dhe ajri.
Mes të arrestuarve ka shtetas nga Shqipëria, Tunizia, Iraku, Anglia dhe Franca. Policia italiane thotë se ata kanë bashkëpunuar në katër grupe komplekse kriminale të dedikuara për trafikun e drogës.
Kokaina, hashashi, mariuana, heroina kanë ardhur nga Shqipëria dhe Belgjika për t’u shitur më pas në Itali.
Hetimi për anëtarët e grupeve në fjalë nisi në vitin 2021 pas arrestimit në Piana Rotaliana të një tregtari shqiptar droge të cilit iu kapën 100 gramë kokainë. Policia nisi më pas përgjimet e disa anëtarëve të dyshuar të grupit duke i demaskuar ata, ndërsa sekuestroi 44 kg drogë dhe 220 mijë euro cash, 28 prona dhe 2 aktivitete tregtare.
Sipas policisë anëtarët e këtij grupi janë përgjegjës për të paktën 630 episode të shpërndarjes së drogës, nga të cilat u llogarit se konsumi arrinte afërsisht në 41 kg kokainë, 84 kg mariuanë, 34,5 kg hashash dhe 6,2 kg heroinë.
Nga mbi 165 kg drogë të shitura, fitimi i grupit arrinte deri në 22 milionë euro.
Top Channel