Pamjet nga Gaza të komentuara në gjuhën shqipe, janë filmuar paraditen e të mërkurës nga palestinezi Abdalla Jaber.
Për të Shqipëria është atdheu i dytë pasi prej 30 vitesh jeton e punon në Tiranë, nga ku ka krijuar familje prej një martesë me një vajzë shqiptare.
Në një intervistë për Top Channel, Abdalla, sjell dëshmi të dorës së parë nga Gaza ku ndodhet momentalisht.
Abdalla Jaber: Unë jam këtu për vizitë. Rri më shumë në Shqipëri. Kemi ardhur më fëmijët për pushime përpara se të riktheheshin në shkollë. Kisha plan për tu kthyer në Shqipëri ditën e djeshme. Para pesë ditësh nisi lufta. Ne ngelëm këtu. Është një gjendje shumë, shumë e vështirë kësaj here ndryshe nga tre apo katër herët e mëparshme të luftës mes Gazës dhe Izraelit. Kësaj here është shumë e rëndë pasi avionët F16 godasin Gazën pa pushim ditë e natë. Njerëzit nuk kanë vend ku shkojnë. Shtëpia ime është e dëmtuar komplet. Kam ardhur në shtëpinë e motrës ku kanë ardhur edhe dajat. Sot për sot në Gaza asnjë vend nuk është i sigurtë si pasojë e sulmeve të Izraelit.
Abdlla tregon përpjekjet për të dalë i gjallë nga kjo luftë.
Abdalla Jaber: Edhe këtu në shtëpinë e motrës nuk është e sigurtë. Është plot me fëmijë, plot me pleq, njërëz të sëmurë që s’kanë mundësi lëvizjeje. Nuk ka asnjë lloj mbrojtje nëqoftëse vjen një bombë këtu ose afër ne të gjithë do të vdesim. Po rrimë ngrohtësisht me njeri -tjetrin mbase do të vdesim të gjithë bashkë.
Abdalla Jaber: Këtu jam në një kompleks me më shumë se 120 shtëpi është fshirë prej bombardimeve të avionëve F16. Shtëpia imë që është në zonën Betlaja dje është goditur. Komshija bashkë me 15-16 shtëpi janë të dëmtuara bashkë me shtëpinë time. Kjo është situata në Gaza. Hidhet një armë, njësoj sikur një zog të vogël ta mundësh me tank. Hidhet te shtëpia ku ka civilë.
E pyesin Abdalla Jaber nëse ka nisur përpjekjet për tu larguar nga Gaza.
Abdalla Jaber: Kam shkuar në pikën e kufirit mes Egjiptit dhe Gazës për të dalë nga Gaza dhe kam parë vetëm vdekje në rrugë. Kur kemi mbërritë atje pash njerëz që grumbullohen dhe erdhi një avion duke hedhur bomba tek porta në kalimet e njerëzve mes Egjiptit dhe Palestinës.
Abdalla Jaber: Kam me vete nusen dhe fëmijët. Nusen e kam nga Korça, kalamajtë të gjithë të lindur në Shqipëri. Kam vetëm një djalë që është aktualisht në Tiranë. Dy çunat e tjerë dhe nusja. Nuk kam mundësi të marr nusen me fëmijët e të largohem duke lënë nënën këtu. Nuk kam mundësi të marr mamanë time të dalim e të largohemi nga këtu ose të marr motrën e të largohem.
Por si e shikon Abdalla Jaber betimin e Izraelit për ta rrafshuar Gazën? Jep një përgjigje duke hedhur paralele mes Palestinës dhe Kosovës.
Abdalla Jaber: Jo vetëm Abdlla por të gjithë ne 2 milion palestinezë që janë në Gaza sot i luten Zotit pasi po bota po rri si dëshmitarë të një burgu ku prej 16 vitesh njerëzit janë brenda, nuk lejohen për të dalë e u kthyer. Bota po bën sehir nuk po bën asgjë. Unë si Abdlla dhe 2 milionë palestinezë i lutemi botës të ndalojnë luftën sa më parë dhe këtë zullum. Ne palestinezët puna jonë është fiks si puna Kosovës. Shqiptarët e dinë shumë mirë problemin e Kosovës. Ne tani jemi si puna kosovarëve.
Muhamed Veliu: A i shikoni të drejta veprimet e Hamasit duke hyrë në shtëpitë e izraelitëve e i vrarë duke mos kursyer edhe fëmijë?
Abdalla Jaber: Nuk e kuptoj përse avionët vijnë e godasin njerëz. Njerëz, njerëz civil. Pse godasin? Hamas sot për sot ka publikuar video se kanë kaluar kufirin me Izraelin dhe janë brenda. Shkoni dhe kapini atje. Çfarë keni në Gaza. Ikni kapini atje dhe i vrisni. Çfarë pune ke në Gaza duke e bombarduar ditë e natë?
Abdalla Jaber: Nuk ka asnjë person të drejtë për të vrarë fëmijë dhe asnjë pikë të drejte për tu futur në shtëpinë e tjetrit. Nuk i jap të drejtë askujt as nga Hamasi dhe as Izraeli të vrasë civilë. Kjo është krim. Kush ka vrarë fëmijë është një kriminel. Këtu në Gaza po shikojmë ditë e natë se si fëmijët po vriten. Hamas nuk ka të drejtë të vrasë fëmijë sikurse edhe ata për të na vrarë ne.
Top Channel