Ndeshja e Vllaznisë me Tiranën ditën e djeshme në Kukës ka çuar në përleshjen e tifozëve pas përfundimit të ndeshjes në një pike karburanti në Reps të Mirditës.
106 prej tifozëve janë shoqëruar në komisariatin e Lezhës, ku 8 prej tyre janë arrestuar, ndërkaq 20 prej tyre janë proceduar në gjendje të lire.
Kanë qenë kamerat e sigurisë që kanë identifikuar 8 tifozët të cilët kanë dhunuar me sende të forta tifozët e skuadrës kundërshtare. Mbi të arrestuarit rendojnë veprat penale “plagosje e lehtë me dashje” “prishje e rendit dhe qetësisë publike” si dhe “shkatërrim prone”.
Ngjarja u regjistrua mesditën e djeshme në kthim nga Kukësi, ku Vllaznia humbi kundrejt Tiranës me 1 gol në fund të ndeshjes.
Lojtari i 12-të i shkodranëve, pasi zbriti nga autobusi, filloi duke ofenduar mbështetësit e skuadrës kryeqytetase duke agravuar situatën deri në dhunë fizike mes njeri-tjetrit.
Siç duket nga pamjet e xhiruara nga vetë tifozët, ata kanë goditur njëri-tjetrin me sende të forta, ku nuk kanë kursyer as objektet e lokalit që ndodhej aty pranë, duke bërë që 5 prej tifozëve të dërgohen në spitalin e Lezhës, për të marrë dhe ndihmë mjekësorë si pasoje e plagëve që kishin marrë kryesisht në kokë. Pasi kanë marrë mjekimin e nevojshëm në spital, tifozët ndodhen në gjendje të mirë shëndetësor, ku kanë dhënë deklarimet e tyre në polici.
Materialet për këtë ngjarje u referuan prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë.
Top Channel