Në kushtet kur nevojat e tregut të punës për profesionistë të kualifikuar janë gjithmonë në rritje, arsimi profesional mbetet një prej alternativave për të rinjtë.
Reforma e arsimit dhe formimit profesional, e ndërmarrë nga qeveria, ka bërë që në Korçë të krijohet shkolla e mesme teknike. Në kushtet kur në të gjithë vendin regjistrimet në klasat e 10-ta pësuan ulje, në 3 shkollat profesionale te mekanikes, ndërtimit dhe teknologjisë së informacionit në Korçë, numri i nxënësve pësoi një rritje të lehtë, ç’ka tregon se të rinjtë po afrohen më shumë drejt nevojave të tregut.
Sipas drejtores Anxhela Taho, synimi i planit të optimizimit është të shkohet drejt përputhjes së nevojave të tregut me ofertën e të rinjve profesionistë.
“Ky plan është bazuar në një analizë shumë të rëndësishme të kërkesës dhe ofertës që ka nga njëra anë arsimi profesional dhe nga ana tjetër zhvillimi ekonomik i rajonit të Korçës, dhe kërkesat e biznesit në këtë rajon. Është një pikë e përmendur edhe në strategjinë e aftësive dhe punësimit të vitit 2019-2021, që lidhet me bashkimin e shkollave e të gjithë ofruesve të arsimit profesional. Ka nisur ky proces në tre qarqe të vendit, në Elbasan, në Durrës dhe së fundmi është përmbyllur në Korçë. Do të vazhdojë edhe për vitin shkollor 2023-2024 në të gjithë vendin. Ky nuk është një proces që lidhet me rënien e numrit të nxënësve, absolutisht jo, nëse do të flasim për shifrat, në shkollat të cilat sot janë në një menaxhim të vetëm, shkolla e ndërtimit, shkolla e mesme profesionale Fan Noli dhe shkolla e mesme Demir Progri, të cilat kanë kaluar sipas optimizimit në shkollën teknike profesionale Korçë, në vitin 2022-2023 ka patur të regjistruar rreth 131 nxënës ndërsa këtë vit kemi një rritje jo shumë të lartë, por shkon në 140 nxënës të regjistruar në këto shkolla profesionale, të cilat tashmë ndodhen në një drejtori të vetme në shkollën teknike”.
Bashkimi i shkollave profesionale synon që të plotësojë sa më mirë dhe në mënyrë cilësore kërkesat e tregut në 6 profile. Krahas bashkimit të burimeve njerëzore, infrastruktura përmirësohet duke mundësuar përdorimin e kabineteve për profile të ngjashme me njëri tjetrin ndërsa kurrikulat do të vazhdojnë të jenë ato të miratuara.
Top Channel