Megjithëse në ministerialin e ministrave të Punëve të Jashtme të BE-së në Tiranë, Kosova nuk ishte në agjendë, ishte e pashmangshme mos komentimi nga udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor.
Dritan Abazoviç, kryeministër i Malit të Zi në u pajtua me qëndrimet e deritanishme të kryeministrit Edi Rama për Kosovën.
Dritan Abazoviç: Veprimet e tij dhe çdo aktivitet i madh, i tij ndërkombëtar për Ballkanin Perëndimor shkojnë në drejtim që ne si rajon të kemi paqe dhe të shkojmë drejt progresit. Nuk i takoj atyre politikanëve, i cili do të nisë veprime kritike ndaj Ramës pasi jam i bindur se çdo veprim i tij shkon në një drejtim, që të kemi një rajon në paqe.
Shefja diplomacisë së Kosovës, Donika Gërvalla pas një takimi me homologen gjermane kërkoi masa ekstreme nga BE ndaj Serbisë.
Donika Gërvalla: Masa më e shpejtë është ngrirja e statusit kandidat në BE për Serbinë. Gjermania është një nga mbështetësit kryesorë të Kosovës. SHBA-të, Mbretëria e Bashkuar, shumë shtete të BE-së janë të shqetësuara për ngjarjet në Kosovë, sulmin në Veri, i cili po të mos ishte ndalur, sot do të kishim territor të pushtuar dhe biseda të tjera. Kosova është pala e vetme që kërkon me ngulm implementimin e asaj marrëveshjeje. Ne i kemi kërkuar bashkësisë ndërkombëtare të vendosë sanksione ndaj Serbisë. Është e qartë se pa sanksione nuk ka për ta mësuar mësimin. Dhe qytetarët e Serbisë do ta kenë të vështirë për ta ngritur zërin ndaj vendit të tyre që sillet në mënyrë agresive ndaj fqinjëve.
Nga ministeriali i Tiranës për situatën në Kosovë foli edhe ministrja e Punëve të Jashtme të Gjermanisë dhe komisioneri për zgjerim.
Annalena Baerbock: Drejt BE nuk ka asnjë alternativë tjetër përveç se njerëzit duhet të jetojnë në paqe të pandikuar nga e shkuara. Provokimet e palës serbe për rritjen e trupave në kufi me Kosovën e kanë tensionuar situatën. Kjo ndodh pas një sulmi tinëzar nga një bandë terroriste. Presim që Serbia të çojë më parë hetimin për sulmin e 24 shtatorit dhe ngjarjet e majit drejt ushtarëve të KFOR. Situata është aq e tensionuar saqë NATO ka rritur prezencën e KFOR. Çelësi i zgjidhjes së konfliktit është në Beograd dhe Prishtinë.
Oliver Varhelyi: Unioni fillimisht kërkoi një ulje të tensionit në mënyrë të plotë dhe më pas një rikthim te dialogu. Të gjithë autorët duhet të sillen para drejtësisë dhe autoritetet serbe të bashkohen me ne në këtë çështje.
Top Channel