Kryetari i Parlamentit rus, Vyacheslav Volodin deklaroi se Duma do të konsiderojë revokimin e ratifikimit të Traktatit për Ndalim të Testimeve Bërthamore, deklaratë kjo që erdhi pak pasi Vladimir Putin përmendi mundësinë e rikthimit të testimeve të tilla.
Komentet në fjalë kanë ngjallur jo pak shqetësim; analistët thonë se veprime të tilla nga ana e Rusisë, apo edhe e Shteteve të Bashkuara, mund të jenë destabilizuese veçanërisht në një kohë si kjo, kur tensionet mes dy vendeve janë më të mëdha nga çka qenë ndonjëherë që nga koha e krizës së raketave kubane në 1962-shin.
Situata në botë ka ndryshuar. Washingtoni dhe Brukseli kanë nisur një luftë kundër vendit tonë. Në takimin e ardhshëm të këshillit të Dumës, do të diskutojmë çështjen e revokimit të ratifikimit të Traktatit për ndalimin e testeve atomike”, u shpreh Vyacheslav Volodin.
Pohimet e Volodinit ishin vazhdimësi e deklaratave të Vladimir Putinit që sugjerojnë tërheqjen nga traktati i cili ia ndalon çdo shteti shpërthimin e armëve bërthamor. Rusia është vendi që ka më shumë koka nukleare në botë, pjesën dërrmuese të të cilave të trashëguara nga Bashkimi Sovjetik.
Sipas Kombeve të Bashkuara, përgjatë pesë dekadave, prej vitit 1945 deri më 1996, janë kryer më shumë se 2.000 testime bërthamore, 1.032 nga SHBA-ja dhe 715 nga Bashkimi Sovjetik. Për herë të fundit, Bashkimi Sovjetik e ka testuar një armë bërthamore në 1990, ndërsa SHBA-ja më 1992. Më vonë testime bërthamore kanë kryer edhe India, Pakistani dhe Koreja Veriore.
Top Channel