Bujar Bucaj ishte i pari në vendngjarjen e aksidentit tragjik në Venecia, ku një autobus i mbushur me turistë ra nga ura duke marrë 21 jetë njerëzish.
Shqiptari ka rrëfyer për mediat italiane momentet e vështira, ndërsa ende mbetet i shokuar nga përjetimi i atyre çasteve të tmerrshme.
“Po punoja në restorantin tim që është përballë hekurudhës. Nga vetrata e lokalit pashë autobusin që ra. Kalova me vrap shinat e hekurudhës dhe shkova atje. Njerëzit bërtisnin. Ndihmova një vajzë të vogël të dilte nga autobusi, arrita t`i jepja një dore ndihme edhe dy të rinjve. Pastaj kërkova ndihmën e dikujt që ishte në afërsi, por askush nuk erdhi. Një zotëri më hodhi një fikës zjarri, e mora dhe u përpoqa të shuaj flakët. Në fillim erdhi një makinë policie, pastaj e dyta, më tej erdhën zjarrfikësit dhe në fund, autoambulanca”, shprehet Bujar Bucaj.
Sipas tij, personat e mbledhur aty, bënin foto ose telefonin urgjencën dhe prisnin ardhjen e saj. Nëse do të kishte pasur ndihmë, thotë ai, atëherë ndoshta mund të kishin shpëtuar më shumë njerëz. Viktimat e tragjedisë janë identifikuar tashmë: Ata janë nëntë shtetas ukrainas, katër rumunë, tre gjermanë, një italian që ishte shoferi i mjetit, një kroat, dy portugezë dhe një afrikano-jugor.
Mes të vdekurve është dhe vogëlushja gjermane vetëm 17-muajshe Charlotte Frommherz, dhe 25-vjeçarja kroate Antonela Perkovic, e cila ishte shtatzënë e po shijonte muajin e mjaltit me bashkëshortin Marko Bakoviç, që i mbijetoi fatkeqësisë.
Ndër hipotezat kryesore te aksidentit vazhdon të mbetet ajo e një sëmundje të shoferit 40-vjeçar, por nuk përjashtuar dhe mundësia që ai të jetë shpërqendruar gjatë drejtimit të mjetit. Prokuroria Publike e Venecias ka hapur një hetim për vrasje nga pakujdesia.
Top Channel