Shkoi në klinikë për të kuruar demineralizimin e dhëmbëve por kjo procedurë rezultoi fatale për 3-vjeçarin Braian Spahiu.
Prindërit e fëmijës shkuan në një klinikë private në “Rrugën e Kavajës” ku mjekët u sugjeruan që trajtimi të bëhej nën anestezi totale. Pas konsultës dhe analizave fëmija iu nënshtrua anestezisë dhe në përfundim të procedurës që sipas familjarëve zgjati 9 orë, fëmija u dërgua në shtëpi, pavarësisht se ishte ende në gjendje gjumi.
“Mjeku na tha merreni në shtëpi se për 10 min gjysmë ore fëmija do të zgjohet. E sollëm më shtëpi por fëmija nuk u zgjua. Nisi të kishte temperaturë dhe u zverdh. Këmbët iu bënë të ftohta. Telefonuam mjekun por ai kishte fikur telefonin. E çuam fëmijën te pediatria. E futën direkt në intubim se ishte rëndë. Na thanë e ka nga narkoza e tepër. Të nesërmen pati hemoragji në mushkëri dhe mëlçia i doli jashtë funksionit”, tha gjyshi i 3-vjeçarit, Guri Spahiu.
Pas 3 ditësh kurimi në urgjencën e pediatrisë pavarësisht trajtimeve dhe konsultave që mjekët bënë përfshi edhe mjeku 70-vjeçar i klinikës private, fëmija ndërroi jetë mbrëmjen e datës 1 tetor, por ngjarja u bë e njohur për publikun vetëm gjatë kësaj të enjte.
Pas denoncimit të të atit të 3-vjeçarit policia referoi materialet në Prokurori për veprën penale të mjekimit të pakujdesshëm. Mjeku anestezist i cili është dhe pronar i klinikës private do të hetohet në gjendje të lirë derisa të dalin përgjigjet e analizave mjekoligjore si edhe rezultatet e autopsisë.
Apeli i vetëm i familjes së 3-vjeçarit është drejtësia. Gishtin e akuzës ata e drejtojnë vetëm drejt mjekut.
“Kjo është një vrasje me dashje. Po të mos ishte ashtu mjeku do ta mbante në spital fëmijën. Fajtor është Roland Xhaxho. Shteti të marë masa dhe të bëjë drejtësi. Po nuk mori masa shteti do vemë në drejtësinë tonë”, tha Spahiu.
Nga ana tjetër policia ka sekuestruar gjithë dokumentacionin që klinika kishte në lidhje me trajtimin që mjeku anestezist dhe e bija e tij dentiste kishin kryer me fëmijën dhe janë në pritje të analizave mjekoligjore, të cilat do të vërtetojnë nëse kemi të bëjmë me mjekim të pakujdesshëm.
Top Channel