Në një pikë duket se të gjitha partitë në Parlamentin e BE-së janë parimisht dakord: Që duhet t’i jepet fund vdekjes në detin Mesdhe. Por për mënyrën se si duhet realizuar kjo, pozicionet janë krejt të kundërta.

Objekti i debatit në Parlamentin e BE-së është domosdoshmëria për pranimin e shpejtë të paketës së rregullave për azilin dhe migrimin. Prej vitesh Bashkimi Europian bën përpjekje për reformën e Sistemit të Përbashkët të BE-së për Azilin (GEAS). Kjo paketë reforme përmban disa projektligje. Ndër të tjera parashikohen procese të shpejta të shqyrtimit të kërkesës për azil që në kufijtë e jashtëm si dhe një ndarje të detyrueshme të azilkërkuesve brenda vendeve të BE-së. Ndërkohë po negociohet në të dyja instancat legjilastive europiane, Këshilli i Bashkimit Europian (përfaqësuesit e vendeve anëtare) dhe Parlamentit Europian.

Hapet rruga për bisedime të mëtejshme

Bisedimet për pjesë të caktuara të reformës ndërkohë janë bllokuar për shkak të mos dakordësimit mes vendeve anëtare lidhur me të ashtuquajturin rendi i krizës. Të mërkurën (04.10.2023) presidenca spanjolle e BE-së deklaroi se më në fund është arritur një marrëveshje. Rendi ikrizës në raste të situatave të jashtëzakonshme parashikon masa më të ashpra, nëse shtetet e BE-së preken fort prej migracionit. Në një rast të tillë migrantët mund të mbahen për një kohë më të gjatë, ose mund të aplikohet më shpesh procedura e përshpejtuar e shqyrtimit të kërkesës së azilit në kufi. Tani do të vihen sërish në lëvizje bisedimet me Parlamentin e BE-së.

Debat për solidaritetin

Në Parlamentin e BE-së u diskutua shumë edhe për çështjen e solidaritetit. Kjo ka të bëjë me rregulloren Dublin II të së drejtës së azilit, sipas së cilës përgjegjës për azilkërkuesit është vendi, ku ata kanë shkelur për herë të parë territorin e BE-së. Prej vitesh shtetet në kufijtë e BE-së ankohen për mbingarkesën nga fluksi i refugjatëve. Sipas paketës së re tani duhet të vendoset një shpërndarje e detyrueshme e azilkërkuesve dhe nëse shtete të caktuara nuk duan t’i pranojnë ata, atëherë do të detyrohen të paguajnë vendet që pranojnë refugjatët. Ky rregull refuzohet nga Hungaria dhe Polonia. Deputetja dhe ish-kryeminstrja polake Beata Szydlo nga partia nacional-konservatore PiS theksoi në sallën plenare, se vendi i saj asnjëherë nuk do të pranojë migrantë, që vijnë ilegalisht. Ndërsa propozimin për pagesë në vend të pranimit të refugjatëve politikania e konsideron si absurd.

Në fund të debatit zëvendëspresidenti i Komisionit të BE-së, Margaritis Schinas, thekson edhe njëherë aspektin e solidaritetit dhe thotë, se është e padrejtë politikisht, ligjërisht dhe moralisht, që pesë shtetet në kufijtë e jashtëm të BE-së të lihen vetëm me barrën e refugjatëve. Kemi të bëjmë me një detyrë të përbashkët.

Në Bruksel dhe në Strasburg e kanë të qartë, se koha nuk pret. Ka konsensus të gjerë lidhur me miratimin e paketës së reformës deri në zgjedhjet e BE-së në qershor 2024./ DW

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA