Udhëtimi i ministres së jashtme të Gjermanisë, Annalena Baerbock drejt Shqipërisë vjen në kohën e përshkallëzimit të tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë.
Kryediplomatja gjermane pritet të diskutojë me krerë të të dy vendeve do të vazhdojë t’iu bëjë thirrje palëve që t’i ulin tensionet, në kuadrin e një takimi me ministrat e Jashtëm të Ballkanit Perëndimor, thuhet në një deklaratë të zyrës së saj.
Kriza e fundit mes Kosovës dhe Serbisë u ndez nga sulmi i 24 shtatorit në Banjskë ndaj policisë së Kosovës, si pasojë e të cilit humbi jetën një efektiv i saj dhe tre agresorë. Baerbock e cilësoi situatën në rajonin e Ballkanit si tejet “shqetësuese”. “Serbia ka për detyrë të bëjë thirrje për heqjen dorë nga dhuna”, citohet të ketë thënë ajo. Për ministren, shenjat fillestare që ushtria serbe e ka zvogëluar prezencën në kufi me Kosovën përbën hap të parë të rëndësishëm, por duhen hedhur edhe hapa të tjerë shtesë drejt uljes së tensioneve.
Ndërkohë, një zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes në Gjermani pohoi se aktualisht nuk ekzistojnë plane për rritje të numrit të ushtarëve gjermanë, të angazhuar në Kosovë, në kuadër të misionit të NATO-s atje, KFOR. Aktualisht në misionin e KFOR-it janë të angazhuar 71 ushtarë gjermanë.
Top Channel