21 të vdekur e 15 të plagosur është bilanci i tragjedisë së një dite më parë në Venecia, ku një autobus u rrëzua nga një urë pranë qytetit lagunë.
Autobusi i marrë me qira për të transportuar një grup turistësh, u përplas me një bordurë e ra më pas në shinat e trenit në zonën e Mestres. Mes viktimave është edhe një foshnje e dy të mitur. Arsyeja e përplasjes nuk është zbardhur ende, ndërsa hipotezat për fatkeqësinë nisin nga një problem i menjëhershëm shëndetësor i shoferit italian 40-vjeçar, edhe ai vetë mes viktimave.
Shoferi thuhet të kishte mjaft eksperiencë, ndërsa mjeti që drejtonte ishte elektrik dhe nuk punonte me gaz, siç u raportua fillimisht. Dëshmitë e të mbijetuarve tregojnë po ashtu se në momentin e përplasjes, autobusi nuk ka qenë duke lëvizur me shpejtësi të madhe, ndërsa në rrugë nuk ka gjurmë frenash.
Mjeti, siç shkruajnë mediat italiane, ka rënë pasi preku telat e energjisë elektrike, duke bërë një fluturim prej gati 30 metrash. Në bord kishte vizitorë të huaj, ndër të cilët ukrainas, francezë, kroatë e gjermanë. Në një reagim të saj për aksidentin tragjik, ministria e jashtme shqiptare, përcolli ngushëllimet e saj për familjarët e personave që humbën jetën, ndërkohë që nuk ka pasur raporte për shqiptarë mes viktimave.
Top Channel