Në një votim të cilësuar historik, Dhoma e Përfaqësuesve e Shteteve të Bashkuara shkarkoi kryetarin e saj, Kevin McCarthy.
Kjo është praktikisht, hera e parë në historinë e SHBA-së që shkarkohet kreu i Dhomës së ulët të Kongresit amerikan. Mocioni për shkarkim u paraqit nga ligjvënësi Matt Gaetz, nga radhët e vetë Partisë Republikane të McCarthy, të akuzuar ashpër se nuk kishte bërë sa ç’duhej për të shkurtuar shpenzimet federale.
Disa republikanë po kështu, kishin shprehur hapur pakënaqësinë në lidhje me një marrëveshje që McCarthy kishte arritur me Presidentin Joe Biden për të kufizuar nivelet e shpenzimeve në këmbim të rritjes së tavanit të borxhit. Ai vetë megjithatë, u shpreh se nuk ndjen asnjë pendesë për vendimet e marra gjatë kësaj kohe.
“Ishte një nder i madh për mua të shërbeja si kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve. Të bësh atë çfarë është e drejtë, nuk është gjithmonë e lehtë. Nuk më vjen keq për negociatat. Qeveria jonë është krijuar për të gjetur kompromise”, tha kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve Kevin McCarthy.
“Mendohuni mirë përpara se të na zhytni Dhomën në kaos, sepse ai do të jetë rezultati nëse e lëmë atë post të zbrazët”, i paralajmëroi përpara votimit kolegët e tij republikanë tij ligjvënësi Tom Cole. Vota për shkarkimin e McCarthy kërkonte një shumicë të thjeshtë në Dhomën e Përfaqësuesve prej 435 anëtarësh. Republikanët kontrollojnë dhomën me një shumicë 221-212 ndaj demokratëve të opozitës.
Ky shkarkim në thelb paralizon aktivitetin legjislativ të kësaj dhome, teksa ajo përballet me një tjetër afat për mbylljen e qeverisë më 17 nëntor nëse Kongresi nuk voton për zgjatjet e afatit.
Top Channel