Një 43-vjeçar është vënë në pranga në Krujë pasi kultivonte dhe thante kanabis pranë banesës së tij.
Banues në Thumanë, A. H., pasi e kultivonte bimën narkotike në oborrin e banesës së tij, në afërsi të saj kishte përshtatur një ambient, magazinë, për tharje.
Gjatë kontrollit, shërbimet e Policisë gjetën rreth 4.9 kg lëndë të dyshuar narkotike kanabis në proces tharjeje, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Gjithashtu, shërbimet e Policisë asgjësuan me anë të djegies bimët narkotike që ishin kultivuar në këtë hapësirë.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, në bashkëpunim me AMP, në vijim të punës për garantimin e rendit dhe sigurisë, evidentimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale, kapjen në flagrancë të shtetasve që kryejnë vepra penale, bazuar në informacionet e siguruara për një rast të kultivimit të bimëve narkotike, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Spot””, thuhet në njoftimin e policisë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.
Top Channel