Tragjedia në Spanjë! Klubi i natës që u rrënua nga zjarri vdekjeprurës, ishte urdhëruar të mbyllej më 2022

02/10/2023 17:19

Klubi i natës që u rrënua nga një zjarr gjatë fundjavës në Spanjë, duke lënë të vdekur 13 persona, ishte urdhëruar të mbyllej në vitin 2022, njoftuan autoritetet spanjolle të hënën.

Zjarri, i cili u ndez të dielën herët në mëngjes në një ndërtesë ku ishin të vendosura klubet e natës Fonda Milagros dhe Theatre në periferi të Murcias, është më vdekjeprurësi në një klub nate në tri dekadat e fundit në Spanjë.

Këshilli i Qytetit i Mucias e kishte urdhëruar në janar 2022 mbylljen e klubeve të natës për shkak se kompania që operonte me to kishte licencë vetëm për njërin prej tyre, Teatre – jo për Fondan, i cili u krijua më vonë, tha nënkryetari i qytetit, Antonio Navarro.

Navarro tha se autoritetet do ta gjejnë kush është përgjegjës, pa shpjeguar pse klubet e natës po punonin pa licencë. Policia dyshon se zjarri shpërtheu në klubin e natës Fonda dhe pastaj u shpërnda në Teatre dhe në fund në klubin e tretë të natës Golden.

Të vdekurit ishin të gjithë në një zonë të vogël në klubin Fonda”, tha zëdhënësi i Policisë, Diego Seral, duke shtuar se në atë kohë po mbahej një ditëlindje në atë klub. Të gjithë njerëzit e raportuar të zhdukur janë gjetur, përfshirë tre personat që kishin shkuar në plazh, duke fikur celularët dhe mos pasur asnjë lloj informacioni se çfarë kishte ndodhur në klub, thanë zyrtarët.

Viktimat ishin nga Kolumbia, Ekuadori dhe Nikaragua, si dhe nga Spanja. Policia tha se vetëm tri nga viktimat u identifikuan përmes shenjave të gishtave. Pjesa e mbetur e trupave duhet të identifikohen përmes mostrave të ADN-së.

“Jemi të shkatërruar, të tronditur”– tha kryetari i qeverisë rajonale të Murcias, Fernando Lopez Miras, duke shtuar se: “Asgjë që themi ne nuk mund t’i ngushëllojë të afërmit dhe miqtë e viktimave. Kemi mbetur pa fjalë.”

Ky ishte zjarri më tragjik në klub nate që nga viti 1990, kur 43 njerëz vdiqën si pasojë e zjarrit në një disko në Zaragoza.

Zjarri më vdekjeprurës në klub nate në Spanjë ndodhi në dhjetor 1983, kur 81 persona u vranë në një zjarr në Madrid. Tymi, dështimi i sistemit të ndriçimit dhe mbyllja e derës së daljes emergjente kontribuuan në këtë fatkeqësi./REL

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA