Kur në ambientet e brendshme të rektoratit zhvillohej ceremonia për fillimin e vitit të ri akademik, në ambientet e jashtme, studentët e mjekësisë kanë protestuar duke bojkotuar fillimin e vitit të ri shkollor deri në anulimin e ligjit, që i detyron ata të ofrojnë shërbim shëndetësor nga 3 deri në 5 vite pas përfundimit të studimeve, e më pas të pajisen me diplomë.
Studentët thonë se ky bojkot është pasojë e miratimit të ligjit detyrues, pa marrë në konsideratë pretendimet e tyre. Ata do ta ndjekin çështjen në rrugë ligjore dhe do të bëjnë padi në Gjykatën Kushtetuese.
“Studentet janë të gjithë të bashkuar. Jemi më shumë se 2000 studentë në Fakultetin e Mjekësisë. Jam senator dhe nuk di ndonjë student që është pro ligjit”, shprehen studentët.
400 studentët e vitit të parë , që duhej të uleshin në auditorë për të nisur studimet në mjekësi këtë të hënë, thonë se nuk do ta bojkotojnë mësimin, ndonëse e vlerësojnë të drejtë vendimin e viteve të tjera.
“Më duket e panevojshme dhe e pavend ,vetëm organizimi që kanë bërë gjatë ceremonisë së bluzave të bardha. Mund të kishin gjetur një kohë tjetër, por është i drejtë”.
“Deri diku mund të jem dakord, por akoma nuk kam një përgjigje specifike”, shprehen studentët.
Bojkoti u zhvillua vetëm nga studentët e degës Mjekësi e Përgjithshme, pasi në degët e tjera si Stomatologji, Farmaci e të tjera mësimi do të vijojë normalisht.
Top Channel