Më shumë 200 shqiptarë janë paraqitur në gjykatat e Mbretërisë së Bashkuar brenda 10 ditëve.
Sipas një hetimi të “Essex News dhe Investigations”, të cilës i referohet Top Channel, 204 shqiptarë janë vënë në ndjekje penale si të dyshuar për shpërndarje të drogës së klasit A, prodhimin e kanabisit, pastrimin e parave, trafik njerëzor, posedim të armëve të zjarrit, dhunë dhe shkelje, të gjitha këto të ndodhura në një periudhë kohore prej dy javësh gjatë në muajit prill.
Pesë shqiptarëve të tjerë iu caktua seancë e veçantë ekstradimi, lidhur me vepra të ngjashme në Shqipëri ose vende të tjera evropiane, gjatë së njëjtës periudhë.
Ky hetim tregon shkallën e ndikimit të krimit të organizuar shqiptar në sistemin e Anglisë, një sistem tashmë i sforcuar i drejtësisë penale që ka grumbulluar rreth 60,000 çështjesh gjyqësore të kurorës për gjykim.
Sipas “Essex News dhe Investigations”, një shtetas shqiptar, i cili është një ekspert i krimit në Shqipëri, kaloi nëpër çdo listë të gjykatës së kurorës në Angli dhe Uells nga 17 deri më 21 prill dhe nga 24 deri në 28 prill për të identifikuar bashkatdhetarët që prisnin jashtë për seancat. Mesatarisht, 22 shqiptarë u paraqitën në gjykatat e kurorës çdo ditë gjatë asaj periudhe. Më 18 prill, 31 shqiptarë duhet të paraqiteshin në gjykatat e kurorës në lidhje me një sërë shkeljesh të supozuara. Numri më i ulët u shënua më 19 prill ku ‘vetëm’ 14 shqiptarë prisnin të paraqiteshin në gjykatë.
Eksperti i këtij hetimi, tha se shqiptarët kanë mbiemra unikë dhe disa emra unikë që nuk përdoren nga asnjë kombësi tjetër, duke i bërë të lehtë për t’u identifikuar. Ai futi emrat në një databaze të qytetarëve shqiptarë, për t’u siguruar që emrat ishin me origjinë shqiptare.
Në disa nga seancat gjyqësore u diskutua se si të pandehurit kishin ardhur nga Shqipëria në Britaninë e Madhe dhe kishin përfunduar duke punuar në tregtinë e paligjshme të drogës.
Eksperti tha: Është e lehtë të kuptosh se dikush është nga Shqipëria, për shkak të emrave dhe mbiemrave të tyre që ekzistojnë vetëm në Shqipëri dhe jo në vendet e tjera të Europës Lindore. Prisja të shihja disa raste, por kjo është çmenduri dhe nuk e kisha menduar kurrë që të shihja një numër kaq të lartë shqiptarësh që shfaqen çdo ditë në gjykatat britanike.
Megjithatë, ai shtoi se edhe pse ka pasur një numër të madh të paraqitur në gjykatë, shumica e shqiptarëve që vijnë në MB, e bëjnë këtë të detyrua, pasi kanë qenë viktima të trafikimit.
Ai shtoi: Duhet të mbani mend gjithashtu se shumë nga njerëzit që paraqiten në gjykatë kanë qenë viktima të trafikimit dhe kanë qenë të detyruar ta bëjnë këtë.
Ish-DCI i Policisë së Met, Dave McKelvey tha: Uau, më shumë se 200? Por, nuk duhet të habitemi pasi Agjencia Kombëtare e Krimit (NCA) ka thënë gjatë viteve të fundit se ata kanë marrë përsipër tregtinë e prodhimit të kokainës dhe kanabisit.
Ka të ngjarë që ndjekjet penale të jenë maja e një ajsbergu të madh, pasi forcat e policisë mund të synojnë vetëm një pjesë të grupeve të krimit që veprojnë brenda kufijve të tyre dhe jo të gjitha hetimet përfundojnë në ndjekje penale.
Shqiptarët përbëjnë numrin më të madh të të burgosurve të huaj në Angli dhe Uells, me 1336 të burgosur në fund të vitit 2022.
Në këtë artikull thuhet se këto gjetje vijnë pasi është zbuluar se shumica e kërkesave për azil të pranuara në Mbretërinë e Bashkuar në vitin 2022, ishin nga shqiptarët pas mbërritjes së tyre me varka të vogla përgjatë Kanalit.
Statistikat e azilit të “Home Office” tregojnë se ka pasur më shumë se 14,000 kërkesa për azil nga shqiptarët në vitin 2022, me 49 për qind të miratuara, 10,000 nga afganët dhe pak më pak se 8,000 nga iranianët. Në vitin 2021 kishte më pak se 5000 kërkesa për azil nga shqiptarët.
Vitin e kaluar Sekretarja e Brendshme, Suella Braverman tha se rritja e kalimeve me varka të vogla, çoi në një rritje të aktivitetit kriminal. Komentet e saj erdhën pasi një raport i zbuluar i shërbimeve të sigurisë verën e kaluar, tha se vendkalimet e Kanalit po përdoreshin nga grupet shqiptare të krimit të organizuar për të trafikuar njerëz, drogë dhe ndërmarrje të tjera kriminale.
Një zëdhënës i Home Office tha: Njësoj siç bëjmë me shkelësit nga e gjithë bota, nëse dikush nga Shqipëria shpallet fajtor për kryerjen e një krimi të rëndë në MB, ne do t’i dërgojmë në shtëpi. Që nga nënshkrimi i Komunikatës së Përbashkët në dhjetor, mbi 1000 shtetas shqiptarë janë kthyer në vendin e tyre. Megjithatë, ne e vlerësojmë komunitetin shqiptar në Britaninë e Madhe dhe mirëpresim shumë shqiptarë që udhëtojnë në Mbretërinë e Bashkuar ligjërisht dhe kontribuojnë ndjeshëm në shoqërinë britanike.
Disa shqiptarë të tjerë u burgosën për vepra të krimit të organizuar gjatë periudhës së hulumtimit.
Alban Koçi, 32 vjeç, i diplomuar nga Enfield, u paraqit më 28 prill në Gjykatën e Kurorës së Southampton, për të marrë dënimin.
Ai u ndalua në mars, nga policia në qytet teksa ngiste një makinë Peugeot të zezë, ku u gjetën 1.1 kg kokainë, me vlerë deri në 40,000 £, e mbështjellë në një qese Tesco dhe fletë metalike. Gjykata dëgjoi se Koçi kishte mbërritur në Mbretërinë e Bashkuar me vizë amerikane, por nuk ishte në gjendje të gjente punë . Avokati mbrojtës Chris Gager, tha se klienti i tij u largua nga Shqipëria pas tërmetit dhe pandemisë në përpjekje për të gjetur punë. Ai u dënua me katër vjet burg.
Në të njëjtën ditë në Gjykatën e Sheffield Crown u dënua Edison Meshi, 22 vjeç, pa vendbanim të caktuar. Ai u akuzua për veprën penale të prodhimit të një droge të kontrolluar të klasit B, kanabis, pas një hetimi të policisë në një fabrikë kanabisi në Yorkshire të Jugut, më 23 mars. Gjykatësi e dënoi me dy vjet burg.
Nazeraj Shygyri, 26 vjeç, nga Twickenham, u burgos për 13 muaj në Gjykatën e Kurorës së Leeds më 17 prill, për veprën penale të furnizimit me kanabis, ndërkohë në Shqipëri u raportua se ai kishte qenë në arrati për një vit para arrestimit.
Xhulio Shehaj , 26 vjeç pa vendbanim fiks u kap duke kultivuar 206 bimë kanabisi në një shtëpi në Cardiff më 13 mars. Ai pretendoi se po e bënte këtë punë për shkak të 20,000 £ borxhe. Në Gjykatën e Cardiff Crown, më 19 prill u zbulua se ai erdhi nga Shqipëria në fund të vitit 2020 për shkak të borxheve dhe u miqësua me shqiptarë të tjerë që e njohën me prodhimin e kanabisit. Ai u dënua me dy vjet e gjashtë muaj burg.
Leutrim Krasniqi, 28 vjeç, nga Londra u burgos për gjashtë vjet në Gjykatën e Nottingham Croën më 18 prill, pasi më herët u shpall fajtor për posedimin e një armë zjarri me qëllim për të rrezikuar jetën.
Në Gjykatë, bashkatdhetarin e tij Ergys Zekaj, 25 vjeç, nga Londra, tha se kishte marrë armë zjarri të konvertuara nga një punëtori ilegale e drejtuar nga një grup krimi britanik në Mansfield, i cili u bastis në korrik 2021.
Top Channel