Yjet e shahut botëror kanë mbërritur në Shqipëri për t’u bërë pjesë e Europianit të Klubeve të Shahut që këtë vit organizohet në Durrës.
Mjeshtrat e shahut do të garojnë mes tyre në edicionin e 38-të të Kupës Europiane të Shahut për meshkuj dhe Kupës së 27-të europiane të klubeve për femra. Kampionati që për herë të parë organizohet në Shqipëri, këtë vit shënoi një numër rekord në pjesëmarrje. Janë 110 ekipe nga 34 Federata Europiane.
Në ceremoninë e hapjes qenë të pranishëm autoritetet më të larta të shahut europian dhe shqiptar dhe në një ngjarje të tillë sportive nuk mund të mungonte as Fatos Muça, shahisti legjendar që së bashku me nxënësin e tij Erald Dervishi u kthyen në ikona të historisë së shahut shqiptar në arenën botërore të sportit të mendjes.
Shqipëria prezantohet me 6 ekipe, nga të cilat ka dhe pritshmëri për medalje në këtë Ligë të Kampionëve.
Ndeshjet do të luhen në 7 raunde, sipas sistemit zvicerian. Me fillimin e muajit tetor nisi dhe raundi i parë i Europianit shahistik që ka sjellë në Durrës afro 900 pjesëmarrës, duke mbështetur më tej dhe ekonominë vendase dhe zgjatjen e sezonit turistik.
Top Channel