Stoltenberg: Forcat ukrainase gradualisht po fitojnë terren

28/09/2023 14:44

Forcat ukrainase “gradualisht po fitojnë terren” në kundërofensivën kundër pushtuesve rusë, tha shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, gjatë një vizite të paparalajmëruar në Kiev më 28 shtator, disa orë pasi ushtria ukrainase tha se ka zmbrapsur një valë të madhe të sulmeve me dronë nga Rusia në jug të Ukrainës.

“Trupat ukrainase po përballen me luftime të ashpra, por ata ngadalë po fitojnë terren”, tha Stolenberg gjatë konferencës së përbashkët për media me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky.

“Çdo metër që forcat ukrainase rimarrin është metër që Rusia humb… Moska po lufton për deluzione imperialiste”, tha Stoltenberg.

Shefi i NATO-s po ashtu njoftoi se aleanca ka krijuar kontrata në vlerë prej 2.4 miliardë eurosh për municione të rëndësishme për Kievin, përfshirë edhe 1 miliard euro për furnizime me armë.

Sekretari i Përgjithshëm tha se lidhjet e Ukrainës me aleancën ushtarake perëndimore kurrë nuk kanë qenë më të afërta.

“Ukraina tani është më afër NATO-s se kurrë më parë”, tha ai.

Gjatë samitit të NATO-s në korrik, liderët e aleancës përmes deklaratës së përbashkët thanë se e ardhmja e Ukrainës është brenda aleancës, por NATO tha se do t’i dërgojë ftesë Kievit për anëtarësim vetëm “kur anëtarët të pajtohen se janë plotësuar kushtet”. Presidenti ukrainas kërkoi që aleanca të forcojë sistemet e mbrojtjes ajrore të Kievit, pasi Ukraina pret që Rusia të rinisë sërish sulmet ndaj ndërtesave të energjisë kur të ftohet moti.

“Sekretari i Përgjithshëm u pajtua që të ndërmarrë hapa për të na ndihmuar ne në këtë drejtim, për të mobilizuar shtetet anëtare të aleancës”, tha Zelensky.

Vizita e Stoltenbergut në Kiev erdhi disa orë pasi mbrojtja ajrore e Ukrainës tha se shkatërroi 34 nga 44 dronët Shahed – të prodhimit iranian – që Rusia lëshoi mëngjesin e 28 shtatorit.

Ushtria tha se Rusia nisi një valë të re të sulmeve me dronë në jug të Ukrainës. Ukraina po vazhdon kundërofensivën e saj në lindje dhe jug të shtetit dhe ushtria raportoi të enjten për 26 beteja të afërta të zhvilluara në rajonin lindor të Donjeckut./REL

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA