Studimi, të rinjtë synojnë të përshtaten me kërkesat e tregut të punës

27/09/2023 19:11

Në Shqipëri, të rinjtë pohojnë se krahas vështirësive për t’u punësuar, një tjetër problem, që hasin është përshtatja e aftësive të tyre profesionale me kërkesat e tregut të punës.

Ky përfundim është pjesë e një raporti të organizatës Uorld Vision, bazuar në sondazhe me të rinjtë në gjithë vendin.

Ata shfaqën sot në një takim vjetor disa projekte për lehtësimin e informacionit mbi tregun e punës.

Në Raportin e organizatës World Vision Shqipëria, 47 për qind e të rinjve të anketuar pohojnë se aftësitë e përshtatura janë ato që u nevojiten për të gjetur një vend pune në të ardhmen.

Të rinjtë theksojnë në sondazhet e kësaj organizate se punësimi është kryefjala e shqetësimeve të tyre, krahas bashkëveprimit shoqëror si dhe vendimmarrja në komunitet e më gjerë.

Drejtorja e operacioneve në organizatën World Vision, Artina Morava, thotë se problem kryesor për të rinjtë mbetet punësimi dhe lidhjet e tyre me tregun e punës.

“Përveç papunësisë dhe vështirësive për të hyrë në tregun e punës, tjetër shqetësim, që ngrenë të rinjtë në sondazhet e kohëve të fundit, ka të bëjë edhe me infomimin që të rinjtë kanë për opsionet që iu ofrohen për punësim. Po ashtu mundësitë për platformat digjitale përmes të cilave të rinjtë të ingranohen, të angazhohen për të marrë trajnim të vazhdueshëm, dhe jo në ngjarje, që organizohen vetëm një herë”, thotë zonja Morava.

World Vision bashkoi sot në në takim vjetor dhjetëra të rinj nga zona të ndryshme të vendit që të diskutojnë problemet më të shpeshta, që ata hasin në jetën e tyre.

Tema e këtij viti është sërish përfshirja në tregun e punës për të rinjtë, për të shmangur emigrimin e tyre, një dukuri që vazhdon të mbetet ndër shqetësimet kryesore.

“Emigrimi vazhdon të mbetet një shqetësim, por ne si organizatë ne përpiqemi të ndihmojmë të rinjtë që të gjejnë zgjidhje në mes problemeve që Shqipëria dhe të shmangin largimin nga vendi. Zonat ku ne veprojmë janë prekur nga emigrimi, dhe ne kemi një qasje që të ndihmojmë të rikthyerit, ose parandalimin e largimeve të tjera. Por patjetër, si në gjithë Shqipërinë, edhe në zonat ku ne veprojmë, shifrat e emigrimit janë të larta”, thotë zonja Morava.

Vitin e fundit organizata World Vision ka punuar për rintegrimin e mbi 100 familjeve të kthyera nga emigrimi përmes afrimit të fëmijëve të tyre në qendra dhe shkolla, formimit profesional për prindërit si dhe ndihma të drejtpërdrejta për të rinisur një biznes, duke i blerë vegla pune dhe pajisje të pajisje të tjera, që të nisin punën sa më lehtë.

“Programet për integrimin e të rinjve, fëmijëve apo familjeve kanë të bëjnë me rintegrimin e tyre në shkolla apo klasa pas-shkollore, për prindërit kurse profesionale për të rritur aftësitë e punësimit, që të nisin një biznes të vogël apo t’i kthehen prodhimeve bujqësore, përfshirja e të rinjve në klube rinore”, thotë zonja Morava.

Të rinjtë pjesëmarrës në Festivalin e shtatë rinor të organizatës World Vision kanë sjellë disa projekte, që synojnë koordinimin e informacionit mbi tregun e punës në qarqet e Shqipërisë, një platformë digjitale ku të rinjtë trajnohen dhe marrin informacion të vazhdueshëm për profesionet e kërkuara dhe kushtet e punës.

Në një seri studimesh vitet e fundit një numër i konsiderueshëm të rinjsh, të mërzitur nga papunësia dhe mungesa e perspektivës, shprehen se janë gati të largohen nga Shqipëria sapo t’u jepet një mundësi për punësim dhe pagë dinjitoze jashtë vendit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA