Lajmi i zhdukjes së ministrit kinez të Mbrojtjes, Li Shangfu ka nxjerrë në pah natyrën komplekse të Ushtrisë Çlirimtare Popullore.
Reuters thotë se Li është duke u hetuar për korrupsion gjatë prokurimit të pajisjeve ushtarake në kohën kur mbante një tjetër pozitë. Nën hetim kanë përfunduar edhe tetë zyrtarë të tjerë, për fatin e të cilëve nuk ka shumë informacione zyrtare. Në sistemin kinez, ministri për Mbrojtje Kombëtare konsiderohet me shumë më pak pushtet sesa Sekretari amerikan i Mbrojtjes, dhe shumë pozita tjera të barasvlershme në botë.
Kjo pozitë është në thelb diplomatike dhe ka rol ceremonial, pa ndonjë funksion direkt komande. Megjithatë, Li është në mesin e gjashtë zyrtarëve ushtarakë që janë nën komandën e komandantit të përgjithshëm Xi Jinping, dhe është një prej pesë këshilltarëve të shtetit, një pozitë më e lartë sesa ajo e një ministri tjetër të kabinetit. Si inxhinier i hapësirës ajrore, i cili ka punuar në programin satelitor të Kinës, Li është parë si teknokrat, i cili ka ndihmuar në zbatim të idesë së Xi-së për modernizim të ushtrisë.
Ushtria kineze është krahu i armatosur i Partisë Komuniste në pushtet dhe, sipas raportit vjetor të Pentagonit për ushtrinë kineze, nuk i shërben direkt shtetit, por është nën kontrollin direkt të partisë”. Komisioni Qendror Ushtarak përbën trupin më të lartë vendimmarrës për çështje ushtarake.
Që kur u bë kryetar i këtij Komisioni, sipas Pentagonit, Xi Jinping ka nisur zbatimin e shumë reformave duke e zvogëluar autonominë e ushtrisë dhe duke e shtuar kontrollin e partisë mbi ushtrinë. Sipas ekspertëve, diçka e tillë e shton paqartësinë për ushtrinë kineze, përtej sekreteve që i ka secila ushtri.
Top Channel