Ajo që zakonisht quhet “Mafia” në fakt mbulon shumë klane të ndryshme në Itali, më famëkeqët janë ‘Ndrangheta’ në Kalabri, ‘Camorra’ në Campania dhe ‘Cosa Nostra’ në Siçili.
Rritja në këto organizata e formëson jetën e fëmijëve që në fillim.
“Ekziston një mit që mafia nuk përfshin gra apo fëmijë, por nuk është kështu“, thotë Franco Nicastro, një gazetar në Siçili që ka shkruar për kulturën mafioze për dekada.
“Fëmijët janë të përgatitur për një jetë kriminale; kjo është pjesë e edukimit të tyre në këto familje.”
Të dy prindërit, për shembull, mund t’i edukojnë fëmijët për kulturën mafioze dhe vlerat e saj, si e tillë është e ashtuquajtura kodi “omertà” (një kod heshtjeje, që do të thotë, nuk duhet të flasësh hapur për organizatën ose aktivitetet e saj).
Në shumë familje, fati i djalit është të ndjekë babanë në organizatë, ndërsa vajza pret të martohet me djalin e një familje tjetër mafioze, duke forcuar aleancat strategjike. Babai mund të jetë më drejtpërdrejt i përfshirë në aktivitete kriminale sesa nëna, por të dy prindërit priren të luajnë një rol të caktuar në transmetimin e kulturës së krimit dhe kodeve të organizatës.
“Nëna ndonjëherë mund të justifikojë dhunën dhe të shpjegojë pse është kuptimplotë ose e rëndësishme,” thotë Anna Sergi, një profesore e kriminologjisë në Universitetin e Essex.
Sergi përmend rastin e një djali të ri adoleshent, i cili ndihmoi të atin të fshihte armët dhe, sipas fjalëve të avokatit ai e konsideroi këtë një aktivitet baba-bir, diçka që ishte “kohë e ndarë me të atin, pjesë e marrëdhënies së tyre të veçantë”.
Ndërkohë një i intervistuar mendonte se trafiku i drogës në familje ishte një linjë tipike pune e biznesit familjar.
Në ligjin italian, një fëmijë mund të ndahet nga familja e tij kur ka prova të forta që prindërit nuk përmbushin kërkesat e tyre ligjore për të siguruar kujdesin dhe edukimin e duhur, në mënyrë që sjellja e tyre të paragjykojë mirëqenien e fëmijës. Nxitja e një fëmije për të kryer vepra kriminale është një shembull i tillë.
Kjo ishte baza ligjore e nismës, “Të lirë për të zgjedhur” (Liberi di Scegliere), e cila u krijua në Kalabri në Italinë jugore nga presidenti i gjykatës së të rinjve të rajonit, gjyqtari Roberto Di Bella.
Por si duhet të mbrojë shteti fëmijët e rritur në familjet e krimit të organizuar? Gjykatat italiane po e trajtojnë këtë çështje të mprehtë.
Claudia Caramanna mori rolin e saj si prokurore publike në gjykatën për të mitur të Palermos në korrik 2021-shit. Shumë nga hetimet e saj janë fokusuar te fëmijët e bosëve të mafias dhe trafikantëve të drogës. Në disa raste, ajo ka kërkuar që ata të largohen nga familjet e tyre dhe të vendosen në një shtëpi kujdesi. Këto ndërhyrje e kanë kthyer Caramannën në një objektiv të klaneve të tërbuara mafioze. Por sipas saj, ndarja e fëmijëve nga prindërit kriminelë ndonjëherë është e vetmja mënyrë për t’i mbajtur ata të sigurt.
“Ne nuk e marrim lehtë këtë vendim“, i thotë Caramanna BBC në zyrën e saj në Palermo. “Përkundrazi është zgjidhja e fundit, kur nuk ka të tjera”.
Një vit më parë, në shtëpinë e saj u dërgua një letër anonime me një kryq të vizatuar me dorë. Më pas, në mars të këtij viti, një grup banditësh hynë në zyrën e saj gjatë natës dhe e kthyen me kokë poshtë. Për mbrojtjen e saj, Caramanna-s tani i është dhënë një grup shoqërimi policie dhe ajo e kryen aktivitetin e saj nën mbrojtjen e policisë. /Burimi: BBC
Top Channel