Guterres zbulon dëshmitë tronditëse të krimeve ruse në Ukrainë, nga dhuna seksuale deri te ekzekutimet e civilëve

20/09/2023 18:05

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres ka deklaruar se Rusia ka shkelur të drejtat e njeriut me pushtimin e Ukrainës.

Gjatë fjalës së mbajtur në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit, Guterres u bëri thirrje qeverive që të bashkëpunojnë me qëllim parandalimin e përshkallëzimit të mëtejshëm konflikteve dhe t’u rikthehen objektivave të Kartës së Kombeve të Bashkuara.

“Karta e Kombeve të Bashkuara është udhërrëfyesi ynë drejt një bote më të paqtë. Mekanizmat që janë ngritur mbi parimet e kësaj karte janë një udhëzues për mënyrën se si të zgjidhen konfliktet. Së bashku përpjekjet tona gjatë viteve kanë ndihmuar në parandalimin e luftës në shkallë globale dhe shpëtimin e miliona jetëve, për të ruajtur paqen dhe për të pasur një diplomaci parandaluese dhe operacione për mos përhapjen e armëve, programe për zhvillim dhe përpjekje për të nxitur ruajtjen e të drejtave të njeriut.”

Numri i vdekjeve që rriten me konfliktet thuajse u dyfishua vitin e shkuar. Operacionet paqëruajtëse të Kombeve të Bashkuara janë në një trysni të jashtëzakonshme. Çarmatimi bërthamor ka mbetur në vend dhe nuk ka kuadër global të përshtatshëm për të trajtuar kërcënimet që paraqiten nga teknologjia e re. Ju bëj thirrje qeverive që të ecin përpara, të bëjnë më mirën për t’u riangazhuar ndaj objektivave të tyre në kuadër të kartës së Kombeve të Bashkuara”- tha Guterres.

Ai ndali dhe tek konflikti Rusi-Ukrainë, dhe akuzoi trupat ruse për dhunë seksuale, ndalime arbitrare, ekzekutime dhe transferimin me forcë të civilëve ukrainas nga vendi i tyre.

“Janë dokumentuar dëshmi të shkeljeve tronditëse të të drejtave të njeriut, duke përfshirë dhunën seksuale që lidhen me konfliktin, ndalime arbitrare, ekzekutime, kryesisht nga pala Ruse, dhe transferimin me forcë të civilëve ukrainas, përfshirë fëmijët, në territoret që kontrollohen nga rusët ose territore në Rusi”- tha Guterres, duke i konsideruar dokumentet jetike për përgjegjësit e abuzimeve dhe shkeljeve të të drejtave të njeriut.

Shefi i OKB-së tha se duhet të veprojmë për të shpëtuar njerëzit në mbarë botën.

“Ne po kërkojmë paqe, kemi kontribuar gjatë këtyre viteve për të parandaluar luftën mes Rusisë dhe Ukrainës,  duhet të shpëtohen miliona jetë njerëzish”, tha Guterres.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA