Moti i ngrohtë dhe plot diell po favorizon zgjatjen e sezonit turistik në plazhet e Adriatikut.

Edhe numri i atyre që vijnë me tragete nga Italia në portin detar të Durrësit është më i lartë se një vit më parë, kur shtatori u shoqërua me reshje të vazhdueshme shiu. Gjatë 24 orëve të fundit mbërritën me tragete në port mbi 1400 persona dhe 713 automjete. Në këtë stinë, plazhet ofrojnë më shumë qetësi, pastërti dhe çmime më të mira.

“Deri në këto momente hoteli është 100% i zënë dhe deri në datën 15 deri në 20 tetor jemi pothuajse plot”, është shprehur Blerim Norja, menaxher turizmi.

“I bukur, qetësi, det i pastër, as vapë, kënaqësi”, shprehet një turiste kosovare.

“Plazhi na pëlqen sepse ka ikur ajo nxehtësia e madhe edhe e përballojmë më mirë. Edhe çmimet më të ulëta sepse ne verë ka fluks më të madh”, thotë një tjetër pushuese.

Pushuesit e huaj janë të shumtë dhe gjatë vjeshtës dhe premtojnë se do të kthehen për të zbuluar pjesë të tjera të Shqipërisë, pasi kanë mbetur të kënaqur nga pushimet në Durrës.

“Po, unë jam nga Suedia dhe do të largohem nesër pasi qëndrova 10 ditë bashkë me 3 miq të mi. Kemi qenë në Durrës ku plazhi ka një shtrirje të madhe dhe është bukur. Ishim dhe në 3 vende të tjera në veri. Na pëlqeu gjithçka dhe do të kthehemi për të zbuluar jugun e vendit herën tjetër”, shprehet një turiste suedeze.

“Jemi nga Gjermania dhe është hera e parë. Shumë mirë gjithçka këtu. Zgjodhëm Durrësin se është afër me Tiranën, me aeroportin dhe ka plazh. Ushqimi është shumë i mirë dhe qetë. Nuk ka shumë jetë nate, po mbase ngaqë është vjeshtë.”

“Jemi në një udhëtim të shkurtër. Vetëm 4 ditë dhe po qëndrojmë në qytete, zona që janë afër aeroportit”, shprehet një çift gjerman.

Jo vetëm në plazhe. Vjeshta është stina ideale për turet turistike kulturore. Çdo ditë mbërrijnë grupe turistësh të huaj dhe prenotimet përgjatë këtij sezoni janë të shumta, sipas tur operatorëve.

“Pjesa më e madhe e turistëve janë nga Polonia dhe vendet baltike dhe Çekia që zgjasin deri në fund të shtatorit”, u shpreh Blerim Norja.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA