Autoritetet iraniane kanë arrestuar babanë e 22-vjeçares që vdiq në paraburgim një vit më parë, vdekja e së cilës nxiti protestat më dramatike kundër regjimit, që po vazhdojnë pavarësisht shtypjes brutale.
Në rrugët e Zahedanit janë dëgjuar sërish sloganet kundër liderit suprem të vendit, Ali Khamenei, e kjo në kohën kur në shënimin e kësaj dite, autoritetet e republikës islamike vunë në pranga dhe babain e vajzës së re me origjinë kurde, që vdiq në duart e policisë së moralit vetëm sepse nuk po e mbante siç duhet sipas saj, shaminë e kokës.
Disa protestues janë arrestuar në kryeqytet, në afërsi të Universitetit të Teheranit dhe në sheshin Azadi. Forcat e rendit po kështu ndaluan hyrjen në varrezat ku prehen tubuesit e vrarë gjatë përleshjeve të vitit të kaluar. Babai i Aminit u prangos përpara banesës dhe u dërgua në Ministrinë e Inteligjencës në qytetin e tij, Sagez, për t’u marrë në pyetje.
Atij i është thënë që ai dhe familja e tij nuk do të lejohen që sot, në përvjetorin e të bijës të dalin nga shtëpia e cila është rrethuar nga efektivët e policisë. Këta të fundit kanë bllokuar të gjitha rrugën për të shmangur grumbullimin e qytetarëve që po protestojnë. Protestat që pasuan vdekjen e 22-vjeçares vitin që shkoi, paraqitën kërcënimin më të madh publik ndaj regjimit fetar prej më shumë se një dekade. Grupet e të drejtave të njeriut thonë se gjatë shtypjes së dhunshme të protestave humbën jetën deri në 500 persona e shumë të tjerë kanë përfunduar në burg. Pavarësisht masave të rrepta të autoriteteve, përvjetori i vdekjes së 22 vjecares Mahsa Amini ringjalli protestat në Iran.
Top Channel