Dhjetra mijëra njerëz marshuan sot kundër qeverisë çeke në kryeqytetin Pragë duke akuzuar se kujdeset më shumë për luftën në Ukrainë sesa për krizën e jetesës së qytetarëve të saj.
Një parti e re jo-parlamentare e quajtur PRO organizonte protestën dhe thoshte se numri pjesëmarrëve arrinte në 101,662, ndërsa agjencia shtetërore e lajmeve CTK tha se demonstruesit ishin rreth 10,000.
Me flamurë kombëtare dhe brohoritje kundër qeverisë së kryeministrit Petr Fiala protestuesit dënonin gjithashtu politikat e BE që kanë shkaktuar rënien ekonomike.
Ekonomia çeke është në stagnacion (0 rritje) sipas ekspertëve dhe inflacioni mbetet i lartë edhe pse është zvogëluar disi nga kulmi 18 përqind që arriti në shtator 2022.
“Kam frikë nga e ardhmja, ç’do të bëhet me fëmijët tanë, të gjithë duhet të ngrejmë zërin”, tha protestuesja Hana Smolikova për rrjetin AFP në sheshin qendror Wenceslas, duke shtuar se të gjitha çmimet po rriten.
Policia e Pragës tha se kishin ndaluar një burrë të veshur me logon e grupit mercenar rus Wagner në mesin e protestuesve.
Protestuesi Pavel Husek tha se qeveria “duhet të ndalojë mbështetjen për luftën në Ukrainë dhe të ndihmojë qytetarët e saj që kanë nevojë”.
Koalicioni qeveritar i Fiala me pesë parti ka dhënë ndihma të konsiderueshme ushtarake dhe humanitare për Ukrainën që prej nisjes së konfliktit në shkurt 2022.
Top Channel