Dy vjet pas djegies së spitalit modular në Tetovë, ku humbën jetën 14 persona, familjarët e viktimave nuk e shohin drejtësinë të vënë në vend.
Ata protestua në Shkup me thirrjet për një proces të ri gjyqësor dhe shkarkimin e disa prokurorëve në krye me shefin e Prokurorisë, Lubomir Joveski.
“Në këtë shtet nuk respektohet më e shenjta, jeta njerëzore. 14 viktima, 0 ditë burg. Ne si familjarë kërkojmë shkarkim të prokurorëve të përfshirë në fshehjen e krimit”, u shpreh Ibin Emshi, i afërm i njërit prej personave që u shuan në incidentin tragjik.
Protestuesit thonë se gjykimi lë vend për dyshime se hetimet për shkaqet e zjarrit “janë fshehur me qëllim që e vërteta të mos zbulohet”.
Zjarri u shkaktua nga një kabllo elektrike në orët e vona të natës së 8 shtatorit 2021. “Ne kërkojmë që të hapet procedurë e re gjyqësore për shkaqet e zjarrit, që të rishqyrtohet të gjitha vendimet nga gjykimi paraprak në gjykatën e Tetovës”, thanë familjarët.
Dy drejtorët e spitalit të modular u dënuan nga një gjykatë në Tetovë me nga një vit e gjysmë burgim me kusht për ngjarjen. Drejtori i spitalit, Florin Besimi, dhe ish-drejtori ekonomik, Artan Etemi, u shpallën fajtorë për shkak të mosvendosjes së shenjave të informimit në hapësirat e objektit spitalor dhe të pajisjeve për shuarjen e zjarrit.
Por, një hulumtim i Rrjetit-Laboratori për Gazetari Hulumtuese – IRL, i titulluar “Vrasje në Tetovë” zbuloi se spitalet modulare për Covid 19, përfshirë atë të djegur në Tetovë, ishin ndërtuar “në mënyrë të papërshtatshme duke anashkaluar shumë procedura ligjore.”
Top Channel