
Një 36-vjeçar është vënë në pranga dhe një tjetër nën hetim për shitje të kanabisit në Berat.
36-vjeçari F.K shiste doza kanabisi në një lavazh automjetesh, i cili ndodhej në afërsi të perimetrit të sigurisë së një shkolle. Në kuadër të megaoperacionit policor antidrogë, të koduar “Tempulli”, u zhvillua një kontroll në këtë lavazh, ku u bë e mundur arrestimi i tij. Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për bashkëpunëtorin e 36-vjeçarit, shtetasin B. K., 38 vjeç, banues në lagjen “11-Janari”.
Nga kontrollet në lavazh, u sekuestrua me cilësinë e provës materiale, një sasi lënde narkotike kanabis të ndarë në doza të gatshme për shitje.
Megaoperacioni policor i koduar “Tempulli”, vijon.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për veprime të mëtejshme.
Top Channel