S`ka krizë për Nobelin, fituesit këtë vit shpërblehen me më shumë para!

15/09/2023 14:49

Pandemia e Covid 19 dhe më pas lufta e Ukrainës mund të kenë çuar pjesë të botës në krizë, por fondacioni Nobel duket se nuk ka ndërmend të dorëzohet para inflacionit.

Drejtues të tij njoftuan se këtë vit do ta rritet shumën monetare të shpërblimit për fituesit e çmimeve prestigjioze të tij. Shuma është rritur me 1 milion korona suedezë, apo mbi 83.900 euro, në 11 milion korona, ose më shumë se 923.000 euro monedhës suedeze i ka rënë vlera së fundi.

“Fondacioni ka zgjedhur ta rrisë shumën e çmimit sepse një gjë e tillë është financiarisht e mundshme”, thuhet në deklaratën e shkurtë të lëshuar me këtë rast. Zhvlerësimi i shpejtë i monedhës suedeze e ka çuar atë në nivelin më të ulët ndonjëherë në krahasim me euron dhe dollarin amerikan.

Suedia është përballur dhe ajo me një inflacion të lartë, të cilin arriti ta ulë në 7.5 për qind në muajin gusht, nga 9.3 për qind që ishte në korrik. Pavarësisht këtyre përpjekjeve megjithatë, inflacioni atje mbetet ende larg objektivit prej 2 për qind të vendosur nga banka qendrore e Suedisë, Riksbank.

Kur u ndanë çmimet e para Nobel në vitin 1901, shuma e çmimit ka qenë 150.782 korona për kategori, por gjatë 15 vjetëve të fundit, ajo është ndryshuar disa herë. Fituesit e çmimeve Nobel të këtij viti do të shpallen në fillim të tetorit. Më pas, laureatët ftohen të marrin çmimet e tyre në ceremonitë e çmimeve më 10 dhjetor, në përvjetorin e vdekjes së themeluesit të çmimit, Alfred Nobel. Çmimi prestigjioz i paqes ndahet në Oslo, ashtu siç kishte kërkuar vetë Nobeli, ndërsa ceremonitë e tjera mbahen në Stokholm.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA