Meteorologia e Shërbimit Meteorologjik Ushtarak Besa Sherollari gjatë një lidhje direkte me edicionin e lajmeve në Top Channel, ka bërë parashikimin e motit për këtë fundjavë.
Sipas saj në fundjavë pritet që të ketë alternime kthjellimesh dhe vranësirash të cilat në mesditë do të pasohen nga reshje shiu.
“Vendi ynë duke filluar nga dita e sotme do të jetë nën kushtet atmosferike relativisht të qëndrueshme. Moti parashikohet të jetë me alternime kthjellimesh dhe vranësira të cilat në orët e mesditës dhe pasdites kryesisht në veri të vendit, përgjatë relieveve malore, do të pasohen nga reshje shiu me intensitet të ulët. Përsa i përket fundjavë do të mbetet në të njëjtat kushte meteorologjike. Moti parashikohet të jetë me alternime kthjellimesh dhe vranësira të cilat në orët e mesditës dhe pasdites do të pasohen nga reshje shiu, vetëm përgjatë relieveve malore, ndërsa pjesa tjetër e vendit nuk do të preket nga reshjet e shiut.
E njëjta situatë meteorologjike do të mbetet edhe në fillimin e javës. Përsa i përket erës, pritet të jetë kryesisht nga veri-perëndimi me një shpejtësi mesatare deri në 5-6 metra/s, por hera herës përgjatë vijës bregdetare, kryesisht në jug të vendit pritet të fitojë shpejtësi deri në 8-9 metra/s, duke bërë që valëzimi në detet Adriatik dhe Jon të jetë i ulët, i forcës 1-2 ballë”, shprehet meteorologia Sherollari.
Sipas meteorologes, ditën e shtunë dhe të diel do ketë një ulje të lehtë të temperaturave të cilat nuk do i kalojnë 31-32 gradë.
“Ditën e shtunë dhe të diel presim një ulje të lehtë të temperaturave, kjo kryesisht në vlerat e mesditës, ku pritet që termometri pritet të mos i kalojë 31 apo 32 gradë. Duke filluar nga e hëna presim një rritje të temperaturave, do jetë më e ndjeshme në vlerat e mesditës, ku pritet që termometri të shkojë deri në 33-34 gradë”, është shprehur meteorologia Besa Sherollari.
Top Channel