Athina zyrtare vazhdon të shfaqet e interesuar për çështjen Beleri edhe pse kjo çështje i përket drejtësisë shqiptare. 

Për afro një orë e gjysmë, ministri grek i Mbrojtjes së Qytetarit, Janis Ikonomu, ka zhvilluar një takim në Institucionin e Ekzekutimeve të Vendimeve Penale në Durrës me Fredi Belerin, i cili mbahet në këto ambiente ndërsa pritet të nisë gjykimi ndaj tij për korrupsion zgjedhor.

Ministri grek u largua pa dhënë asnjë deklaratë për takimin dhe çështjet e diskutuara gjatë tij, po mësohet se temë e bisedës mes tyre kanë qenë lëvizjet diplomatike që do të ndërmerren në vazhdim lidhur me situatën e Belerit.

Vizita në burgun e Durrësit vjen një ditë pasi Gjykata e Posaçme vendosi nisjen e gjykimit në ngarkim të Fredi Belerit, i cili u arrestua para zgjedhjeve të 14 majit për blerje votash. Ministri grek Ikonomu ka shfrytëzuar pjesëmarrjen në Samitin e Ministrave të Brendshëm të vendeve të nismës së Berlinit, që u mbajt në Tiranë, për të takuar Fredi Belerin, kryetarin e zgjedhur, por të pabetuar të bashkisë së Himarës.

Mbrojtja e tij ka deklaruar se Beleri po mbahet në burg për arsye politike, ndërsa ka depozituar në të dyja shkallët e gjykatës së Posaçme kërkesa për zbutjen e masës së sigurisë, në mënyrë që të lihet i lirë dhe të betohet e ushtrojë detyrën e  kryebashkiakut të Himarës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA