Kush janë familjet shqiptare të trafikut të drogës Shqipëri-Zvicër/ Fakte të reja nga operacioni policor në Milano

15/09/2023 15:23

Zbulohen detaje të reja nga operacioni antidrogë i zhvilluar në Milano dhe qytete të tjera të Italisë, që çoi në arrestimin e 24 personave mes tyre 16 shqiptarë, 5 marokenë dhe një tunizian.

Në megaoperacionin e nisur dy ditë më parë u kryen 40 kontrolle, u sekuestruan qindra mijëra euro të ardhura nga veprimtaria e trafikut të drogës si dhe u kapën në flagrancë 1 italian dhe 2 shqiptarë të cilëve i’u gjet sasia e mëdha e drogës.

Hetimet për grupin nisën që në vitin 2020, pas një letërporosie të autoriteteve zvicerane dhe kanë të bëjnë me zbulimin e strukturës së dy organizatave kriminale që bashkëpunonin me njëra-tjetrën dhe drejtoheshin nga dy familje shqiptare. Gazeta italiane “La Repubblica” shkruan se familjet shqiptare në krye të organizatave janë familjet me mbiemrin “Lusha” dhe “Goseni”.

Familja “Lusha” shkruan më tej media italiane, kishte shtrirje në zonën e Milanos, ndërsa familja “Goseni” kontrollonte zonën e  Monzëse. Të dyja familjet mbanin lidhje operative me Shqipërinë. Në vendlindje shqiptarët investonin të ardhurat nga aktiviteti e trafikut të drogës, shkruan gazeta italiane. Baza e tyre ishte në Milano, por degët shtriheshin në të gjithë Italinë Veriore, deri në Kalabri dhe Zvicër.Trafiku i heroinës dhe kokainës bëhej kryesisht nëpërmjet autobusëve, korrierëve dhe kamionëve.

Nga disa përgjime telefonike dhe ambientale rezultoi se disa anëtarë të grupit “Goseni” menaxhonin në mënyrë të qëndrueshme dhe të organizuar edhe një rrjet shfrytëzimi prostitucioni. Bëhet fjalë për të paktën 20 vajza nga Evropa Lindore, të cilat detyroheshin përmes kërcënimeve dhe dhunës të prostituonin në apartamentet e menaxhuara nga organizata kriminale, sidomos në zonën e Milanos. Gjithashtu ata viheshin në dispozicion dhe në faqet e takimeve online.

Gjatë operacionit që u ndërmor në Bergamo, Monza, Brianza, Torino e Verona u sekuestruan 42 kg heroinë, kokainë e hashash, 2 pushkë, dhe 50 mijë euro. Gjithashtu u identifikua dhe një apartament i cili përdorej si rafineri droge si dhe magazinë për të ruajtur ngarkesat e drogës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA