Gina Grant me një IQ prej 150, e lindur në vitin 1976 në Lexington të Karolinës së Jugut, ishte vetëm 14 vjeçe kur vrau nënën e saj më 13 shtator 1990.
Adoleshentja amerikane e goditi nënën e saj trembëdhjetë herë me një shandan kristali, duke i shtypur kafkën.
Ajo lau pellgjet e gjakut nga dyshemeja e kuzhinës dhe fshehu shandanin dhe leckat e përgjakura në një dollap. Më pas ajo u përpoq ta bënte vdekjen të dukej si vetëvrasje duke mbështjellë gishtat e nënës së saj rreth dorezës së një thike.
Edhe pse ajo e ndryshoi historinë disa herë, fillimisht i tha policisë se nëna e saj e sulmoi me thikë dhe më pas e goditi në qafë, por kur u zbulua shandani, gjithçka mori tjetër kthesë.
Grant i tha në fund policisë se ishte ajo që e kreu vrasjen për vetëmbrojtje.
Pesë vjet më vonë, e njëjta adoleshente tashmë e rritur, po shkëlqente në fushë akademike, pasi u pranua nga Universiteti i Harvardit, deri në momentin kur e vërteta e së kaluarës së saj doli sërish në dritë.
Fëmijëria e trazuar
Miqtë e saj kanë treguar se Gina ishte e vuajtur, si nga vdekja e babait të saj ashtu edhe nga alkoolizmi i nënës së saj. Babai Charles Grant, vuante nga kanceri në mushkëri, duke marrë frymën e fundit kur Gina ishte vetëm 11 vjeçe.
Dorothy Mayfield 43 vjeçe, nëna e të akuzuarës i kishte kaluar vitet e fundit e varur nga alkooli, ndërsa siç pohoi Grant, ajo dhunonte fizikisht atë dhe motrën e saj më të vogël. Për abuzimin nga e ëma, ka dëshmuar edhe motra e vogël, e cila doli në mbrojtje të Ginës.
Të gjitha faktet e mësipërme, luajtën një rol pozitiv gjatë gjykimit të çështjes së adoleshentes, e cila u deklarua e pafajshme për akuzën e vrasjes me paramendim. Si rezultat, ajo u dënua me një vit në burgun për të mitur, dhe me kusht deri në moshën 18 vjeç. I dashuri i saj, lojtari i futbollit Jack Hook, me të cilin ajo u bashkëpunoi për të mbuluar gjurmët e vrasjes, nuk i kundërshtoi akuzat, duke pranuar rolin e tij në ngjarje.
Megjithatë, gjykata për të mitur e lejoi Gina Grant të vazhdonte studimet e saja, duke i dhënë gjithashtu leje për t’u zhvendosur me xhaxhallarët e saj në Kembrixh, Massachusetts. Aty e priste një jetë tjetër.
Suksesi akademik dhe Harvardi
Në Massachusetts dhe larg të shkuarës së saj të shëmtuar e të përgjakshme, Gina po ndërtonte një jetë ndryshe. Kursi i saj në Kembrixh Rindge dhe Shkollën e Mesme Latine u kurorëzua me sukses pasi ajo bëri përparime të jashtëzakonshme akademike.
Në janar 1995, Gina bëri të pamundurën të mundur, pasi arriti të pranohej në Universitetin e Harvardit. Në të njëjtën kohë ajo u pranua edhe në Universitetin e Kolumbisë, Kolegjin Barnard dhe Universitetin Tufts. Në intervistën e saj të pranimeve në Harvard, ajo pohoi se nëna e saj kishte vdekur në një aksident. Megjithatë, tre ditë para pranimit të saj, një dosje provash e dorëzuar personalisht në gazetën e Harvardit dhe Bostonit nga një person i panjohur përmbante raporte nga koha e krimit që komentonin incidentin dhe rolin e Grantit në vrasjen e nënës së saj. Universiteti u tërhoq. Si përfundim Harvardi nuk e pranoi për shkak se ajo gënjeu gjatë aplikimit.
“Unë po përballem me këtë tragjedi çdo ditë. Nuk i shërben asnjë qëllimi të mirë që dikush tjetër të rijetojë dhimbjen e fëmijërisë sime,” tha Grant, 19 vjeçe asokohe, në një deklaratë.
Top Channel