Banka Qendrore e Rusisë rrit sërish normën e interesit

15/09/2023 14:28

Banka Qendrore e Rusisë e ka rritur normën e interesit për një për qind, çka do të thotë se shifra totale ka arritur në 13 për qind, për shkak të zhvlerësimit të vazhdueshëm të rublës ndaj dollarit amerikan.

Kjo rritje vjen pasi norma vjetore e inflacionit është rritur në shtator në 5.5 për qind. Banka Qendrore ka thënë se parashikon që shifra e inflacionit të arrijë në 6-7 për qind deri në fund të vitit.

“Presioni i inflacionit në ekonominë ruse është i lartë. Rreziqet prej inflacionit janë kristalizuar, rritja e kërkesës së brendshme e tejkalon kapacitetin për zgjerim të prodhimit, si dhe ka ndodhur zhvlerësimi i rublës në muajt e verës”, ka thënë bordi i Bankës Qendrore, përmes një deklarate.

“Prandaj duhet shtrënguar politikat monetare”.

Aktualisht një dollarë amerikan tregtohet për 95 rubla, shumë më dobët sesa një vit më parë, kur shifra ka arritur në 60.

Përmes rritjes së kostos për huadhënie, Banka Qendrore është duke tentuar që ta luftojë rritjen e çmimeve, meqë Rusia është duke importuar më shumë dhe duke eksportuar më pak, sidomos naftë dhe gaz natyror.

Për më shumë, shpenzimet në rritje ushtarake dhe sanksionet e Perëndimit, janë duke e luajtur rolin e tyre. Sasia më e madhe e importit sesa e eksportit nënkupton suficit të vogël tregtar, situatë e cila zakonisht rëndon në valutën e një shteti./REL

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA