Katër persona janë arrestuar dhe një tjetër po procedohet në gjendje të lirë për shitje të kanabisit dhe organizim të lojërave të fatit në Has.
Në kuadër të operacion të koduar “Tempulli”, u evidentua dhe u godit një rast i shitjes së dozave të kanabisit në një lokal, në Krumë, Has.
Për këtë rast u kapën në flagrancë dhe u arrestuan shtetasit A. Sh., 22 vjeç, A. L., 23 vjeç, F. F., 21 vjeç dhe L. P., 20 vjeç, të katërt banues në Krumë.
Nga kontrollet në lokalin e marrë me qira nga 22-vjeçari, Policia konstatoi se ky ambient ishte përshtatur për përdorim dhe shitje në doza, të kanabisit, si dhe për organizim të lojërave të fatit. Nga ky ambient, me cilësinë e provës materiale, u sekuestruan një sasi lënde e dyshuar kanabis, e ndarë në disa doza të gatshme për shitje, një valixhe me sende për lojën “Poker” dhe 4 celularë.
Gjithashtu, për këtë rast u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, për shtetasin A. M., 25 vjeç, banues në Krumë.
Megaoperacioni policor i koduar “Tempulli”, vijon.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme.
Top Channel