Zyrtarët amerikanë të shqetësuar nga bashkëpunimi ushtarak Rusi – Koreja e Veriut

14/09/2023 20:20

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, nuk pranoi sot (të enjten) të japë detaje rreth marrëveshjeve ushtarake, por e quajti takimin mes Presidentit rus Vladimir Putin dhe udhëheqësit të Koresë së Veriut Kim Jong Un “të bërë në kohën e duhur, të dobishëm dhe konstruktiv”.

Kremlini gjithashtu konfirmoi se Presidenti Putin ka pranuar ftesën për të vizituar Korenë e Veriut, ku do të shkojë paraprakisht Ministri i Jashtëm Sergei Lavrov në muajin tetor. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Cindy Saine, takimi u bë megjithë paralajmërimet nga Shtetet e Bashkuara dhe Koreja e Jugut kundër një transferimi të mundshëm të armëve.

Udhëheqësit koreanoverior Kim Jong Un iu bë një pritje mbretërore, përfshirë edhe një prezantim personal nga Presidenti Vladimir Putin i platformës më të avancuar të Rusisë për lëshimin e raketave drejt hapësirës. Dy udhëheqësit diskutuan për mundësinë e dërgimit në hapësirë të një kozmonauti koreanoverior dhe zoti Kim bëri pyetje të detajuara në lidhje me raketat.

Pas takimit, Presidenti Putin i tha televizionit rus se ekzistojnë mundësitë për bashkëpunimin ushtarak me Korenë e Veriut, megjithë sanksionet ndërkombëtare.

Nga ana e tij, zoti Kim tha se do t’i bëjë lidhjet me Rusinë “prioritet numër një”, dhe e bëri të qartë se mbështet sulmin e Rusisë në Ukrainë, duke thënë se: “Kemi shprehur gjithnjë mbështetje të plotë dhe të pakushtëzuar për të gjitha masat e marra nga qeveria ruse dhe Presidenti Putin”.

Ndërsa ata ngrinin dolli për bashkëpunimin e tyre ushtarak, bisedimet shkaktuan shqetësim në Uashington. Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby, foli për këtë çështje.

“Asnjë vend në planet, askush, nuk duhet të ndihmojë zotin Putin që të vrasë ukrainas të pafajshëm. Dhe nëse vendosin për ndonjë lloj marrëveshjeje armësh, sigurisht që do të merremi me këtë në mënyrën e duhur”, tha zoti Kirby.

Takimi shkaktoi shqetësim edhe tek Departamenti i Shtetit, tha zëdhënësi Matthew Miller.

“Do të thoja se është shqetësuese kur shikon rusët të flasin për bashkëpunim me Korenë e Veriut, për programe që do të shkelnin rezolutat e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, për të cilat ka votuar edhe vetë Rusia”, tha zoti Miller.

Sipas agjencisë së lajmeve të Koresë së Jugut, Yonhap, këshilltarët e sigurisë kombëtare të Koresë së Jugut, Shteteve të Bashkuara dhe Japonisë thanë gjatë një bisede telefonike se tregtia e armëve mes Rusisë dhe Koresë së Veriut do të shoqërohet me pasoja.

Një ekspert i tha Zërit të Amerikës se Koreja e Veriut dhe Rusia arritën me sa duket një marrëveshje me përfitim për ta, por shqetësuese për rendin botëror dhe stabilitetin rajonal.

“Mendoj se është shumë domethënëse që u takuan tek Qendra Hapësinore. Dhe është tregues se ky është lloji i teknologjisë që dëshiron Koreja e Veriut. Duke patur parasysh se dështuan lëshimet e dy satelitëve të saj të zbulimit, Koreja e Veriut ka nevojë për ndihmë të tillë”, thotë Mark Fitzpatrick, nga Instituti Ndërkombëtar për Studime Strategjik.

Zoti Fitzpatrick i tha Zërit të Amerikës se nuk ka ndonjë dyshim që Koreja e Veriut do të furnizojë me predha artilerie dhe anti-tank, të cilat do ta ndihmojnë me siguri Rusinë në Ukrainë, për shkak se ka harxhuar arsenalin e saj.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, tha të mërkurën se bashkëpunimi në çfarëdo forme i ndonjë vendi me Korenë e Veriut duket të respektojë sanksionet e vendosura nga Këshilli i Sigurimit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA